Zjarr në Fermë-Çlirim, humb jetën 70-vjeçari, dyshohet se shkak ishte një shkëndijë elektrike
Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën ku jetonte në Fermë-Çlirim.
Sipas burimeve policore, i moshuari, i cili ishte i paralizuar, jetonte i vetëm. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa flakët përfshinë edhe çatinë e banesës, e cila më pas është shembur mbi 70-vjeçarin.
Si pasojë, i moshuari ka humbur jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Fier/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në fshatin Fermë Çlirim, në banesën e shtetasit F. B., rreth 70 vjeç, i cili jetonte vetëm, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit, shtetasi F. B., në pamundësi për të lëvizur (i paralizuar), ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
