Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se negociatorët amerikanë pritet të zhvillojnë bisedime të reja me Iranin gjatë kësaj jave, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën mes dy vendeve.
Deklarata e Trump u bë për faqen e lajmeve Axios, ndërsa tensionet vijojnë lidhur me luftimet dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Irani ka këmbëngulur se vetëm diplomacia mund të çojë në zgjidhjen e krizës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk do të tërhiqet nga kushtet e tij dhe se rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e tyre.
“Kushtet tona janë të qarta dhe çdo hap përpara për të rihapur Hormuzin varet nga përmbushja e këtyre kushteve. Ne nuk po tërhiqemi prej tyre. Vetëm një zgjidhje e negociuar do ta zgjidhë bllokimin”, tha Araghchi.
Teherani kishte njoftuar javën e kaluar, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se i kishte përcjellë Uashingtonit një propozim paqeje përmes negociatorëve të Katarit. Trump e hodhi poshtë propozimin të shtunën, duke argumentuar se Irani po kërkonte një marrëveshje pasi ishte duke “humbur”.
