Dy të rinj kanë përfunduar në pranga sot në Tiranë, pasi kanë tentuar që t’i marrin 100 mijë euro kreut të FSHF-së Armand Duka.
Bëhet fjalë për shtetasit Edison Korra dhe Orest Balla, 24 dhe 23 vjeç.
Bëhet me dije se Korra dhe Balla kanë përdorur një profil në rremë në rrjetet sociale, për të futur Dukën në guaskën e mashtrimit.
Ata janë prezantuar në aplikacionin Signal si Taulant Balla, raporton gazetarja Xhensila Kodra.
Duke u prezantuar si kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, të rinjtë donin të përfitonin shumën e majme.
Dyshohet se pas të arrestuarve fshihet Florian Gjergji, i shpallur në kërkim pasi dyshohet për mashtrim.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Seen”.
Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.
Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
