Çfarë do të mund ta ndalojë Kryeministrin në shkarjet e tij, sa verbale, aq edhe të dëmshme strategjikisht për Shqipërinë?

Pasi u mor me të gjithë në Shqipëri, si Don Kishoti me mullinjtë e erës, duke u thënë një herë “të shitur tek iranianët”, një herë “fuck you”, e një herë si “antisemitë”, sot Rama nga Tirana gjeti një tjetër tabelë qitjeje, kësaj here jashtë kufijve, Ursula Von Der Leyen.

Kur Europa vjen në Shqipëri për të parë ecurinë e reformave për integrim, Rama merret me familjen e Presidentes së Komisionit Europian për t’i kujtuar mirë publikut se sa fëmijë ka ajo.

Të përmendësh familjen e tjetrit është një tabu absolute për vlerat e familjes europiane, por për Ramën kjo s’është veçse një lojë zbavitëse fjalësh.

Qëllimin e kishte gjetiu “gjeniu” ynë: T’i dërgonte Europës një mesazh të koduar si gangsterët. Ose na integroni sa më shpejt, ose, po vazhduat të na neglizhoni, mos u habisni që do të hidhemi një ditë në krahët e Rusisë apo Kinës (siç po bën Serbia).

A ka turp më të madh sesa t’i thuash shefes së Komisionit Europian fjalë për fjalë këtë: “Shtatë fëmijë ka Ursula dhe shtatë kandidatë ka për në BE. Ajo nuk i tha vajzës ‘luaj me gangsterin rus atje në cep’. Ajo nuk i tha djalit ‘shko e luaj me lojëra kineze, se nuk mund të jesh pjesë e tavolinës’. Jo, duhet të jesh në tavolinë.”

Turpi edhe harrohet, por gafat e Ramës janë strategjike. Tmerri më i madh i BE-së në qasjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është futja në radhët e saj e një “kali Troje” që ta çajë Europën nga brenda, siç bëri për vite me radhë Orbani. Me këtë shantazh të shëmtuar, Rama i thotë haptazi Europës se “jemi ne kali i Trojes”.

Si mund të jetë ndryshe? Kur ky kryeministër ka guximin të shantazhojë BE-në me aleanca me Rusinë apo Kinën, pa qenë ende vend anëtar i BE-së, a mund të imagjinohet se ç’mund të bëjë ai nesër, apo Vuçiçi, apo Dodiku, kur këto vende të jenë brenda në BE me fuqi absolute vetoje?

Rama turpëron Shqipërinë kur përdor fëmijët e Von Der Leyen-it si parabolë për mesazhet e tij të koduara.

Rama kompromenton integrimin e Shqipërisë kur përdor fantazmat e Rusisë dhe të Kinës për të trembur europianët.

Këta të fundit mund ta duan vërtet Shqipërinë, por duan në radhë të parë veten. Me tipa si Rama që të kërcënojnë si Orbani duke të përmendur edhe fëmijët, nuk mund ta fusësh ujkun në vathë…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb