Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster.

Në fokus të bisedës kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet politike në vend.

Bardhi bëri të ditur se gjatë takimit i ka përcjellë diplomates holandeze shqetësimet e opozitës për atë që ai e cilëson ndikim të krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, si dhe për mungesën e garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Gjatë takimit ndava shqetësimet tona për situatën politike në vend, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për proceset e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, të cilat po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje”, deklaroi Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar demokrat tha gjithashtu se i ka shprehur ambasadores mirënjohjen për mbështetjen që Holanda i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbi bazën e meritës dhe zbatimit të reformave të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Bardhi theksoi në fund rëndësinë e dialogut me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunimit institucional për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb