Deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka drejtuar akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës gjatë një konference me përfaqësues të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate, duke e cilësuar atë që ai e quan “narkoshtet” si një prej pengesave kryesore për europianizimin real të Shqipërisë.

Gjekmarkaj deklaroi se opozita mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një aspiratë kombëtare që qëndron mbi interesat e partive politike. Por, sipas tij, integrimi nuk mund të realizohet vetëm përmes deklaratave politike, pa reforma reale, institucione funksionale dhe respektimin e standardeve demokratike.

“Ne si opozitë e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim pa asnjë rezervë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne kemi mbajtur dhe do të mbajmë çdo kosto që do të na kërkohet drejt këtij qëllimi të lartë, pavarësisht manovrave, shpesh edhe hipokrizisë dhe mashtrimeve të qeverisë. E bëjmë këtë jo sepse ndajmë të njëjtin vlerësim për mënyrën se si po qeveriset vendi, por sepse interesi europian i Shqipërisë është më i madh se interesi i çdo partie dhe i çdo qeverie të përkohshme”, deklaroi Gjekmarkaj.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ai ia kushtoi reformave zgjedhore dhe territoriale. Sipas deputetit demokrat, këto procese po zhvillohen pa konsensusin e nevojshëm me opozitën dhe aktorët e tjerë.

“Reformat e mëdha vazhdojnë si projekte elektorale të Partisë Socialiste e pa konsensusin e nevojshëm politik. Reforma territoriale po trajtohet pa dialogun e domosdoshëm me opozitën, pushtetin vendor dhe grupet e interesit. Ajo po realizohet në mënyrë të njëanshme”, tha ai.

Gjekmarkaj ngriti akuza edhe për raportin e qeverisë me drejtësinë, duke pretenduar se mazhoranca përdor Parlamentin dhe imunitetin politik për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në çështje korrupsioni.

“Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë standarde europiane, ndërkohë që mbrojmë persona të akuzuar apo të përfshirë në afera korruptive për shkak të interesave politike. Qeveria përdor imunitetin dhe Parlamentin për të penguar drejtësinë. Korrupsioni nuk luftohet duke mbrojtur të korruptuarit; ai luftohet duke mbrojtur ligjin”, deklaroi Gjekmarkaj.

Fjala e plotë:

Të nderuar kryetarë dhe anëtarë të komisioneve për çështjet europiane të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve europiane,

Të nderuar kolegë deputetë, Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për praninë dhe për angazhimin e parlamenteve që përfaqësoni në mbështetje të politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë, çka po dëshmohet edhe gjatë kësaj konference.

Falënderoj në mënyrë të veçantë moderatorin e sesionit, z. Barry Ward , Kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane të Parlamentit të Irlandës dhe përfaqësues i Presidencës së BE-së, dhe parafolësen, znj. Rasa Budbergytė , Zëvendëskryetare e Parlamentit të Lituanisë dhe Kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane, për vlerësimet dhe mbështetjen e fortë të anëtarësimit të Shqipërisë!

Megjithatë, kam dëgjuar po aq qartë edhe një mesazh tjetër: rruga drejt anëtarësimit nuk kalon përmes deklaratave politike, por përmes reformave reale, institucioneve funksionale dhe standardeve demokratike të prekshme për qytetarët.

Si zëvendëskryetar i Kuvendit, unë jam përfaqësues i Partisë Demokratike në opozitë.

Për opozitën, anëtarësimi në Bashkimin Europian përbën aspiratën më të lartë kombëtare të Shqipërisë moderne, është projekti që bashkon shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe që ka orientuar zhvillimin e vendit tonë që prej vendosjes së pluralizmit politik.

Shqiptarët nuk po trokasin në derën e Europës si një popull në kërkim të identitetit të vet. Identiteti i tyre europian është që në ngjizje të qytetërimit perëndimor si themelues i tij.

Ne si opozitë e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim pa asnjë rezervë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ne kemi mbajtur dhe do të mbajmë çdo kosto që do të na kërkohet drejt këtij qëllimi të lartë, pavarësisht manovrave, shpesh edhe hipokrizisë dhe mashtrimeve të qeverisë.

E bëjmë këtë jo sepse ndajmë të njëjtin vlerësim për mënyrën se si po qeveriset vendi, por sepse interesi europian i Shqipërisë është më i madh se interesi i çdo partie dhe i çdo qeverie të përkohshme.

Me këtë bindje dhe me këtë përgjegjësi, i jemi bashkuar edhe kësaj konference sot.

Por pikërisht sepse e mbështesim me gjithë forcën tonë procesin e integrimit, kemi detyrimin të flasim hapur për problemet që e pengojnë atë.

Reformat e mëdha vazhdojnë si projekte elektorale të Partisë Socialiste e pa konsensusin e nevojshëm politik.

Reforma territoriale po trajtohet pa dialogun e domosdoshëm me opozitën, pushtetin vendor dhe grupet e interesit. Ajo po realizohet në mënyrë të njëanshme.

Qeveria flet për reformë zgjedhore. Por leximi objektiv i raporteve dhe rekomandimeve ndërkombëtare tregon se standardet demokratike në procesin zgjedhor vazhdojnë të kërkojnë ndryshime emergjente. Ekziston rreziku që edhe kjo reformë të jetë më shumë produkt i vullnetit të mazhorancës për të shkuar drejt farsave të tjera elektorale.

Lufta kundër korrupsionit është një nga testet më të rëndësishme të pjekurisë demokratike të një vendi.

Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë standarde europiane, ndërkohë që mbrojmë persona të akuzuar apo të përfshirë në afera korruptive për shkak të interesave politike. Qeveria perdor imunitetin dhe parlamentin për të penguar drejtësinë.

Korrupsioni nuk luftohet duke mbrojtur të korruptuarit; ai luftohet duke mbrojtur ligjin.

Për Partinë Demokratike sot, për Shqipërinë, problemi më madhor me pasoja shkatërrimtare mbi demokracinë, ligjin, shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë është narkoshteti i kryesuar nga Edi Rama, i pari dhe i vetmi në Evropë.

Në këtë kuadër, sot Shqipëria është eksportuesja kryesore e kanabisit në Evropë.

Kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit kryesorë të kokainës dhe ndër aksionerët kryesorë të tregut të saj në Evropë.

Në Shqipëri ato administrojnë portet, të cilat aktualisht janë porte të lira për drogën.

Kartelet shqiptare të drogës në Shqipëri dhe në Amerikën Latine kanë lidhje direkte me ekzekutivin shqiptar. Pasojat më të rënda të narkoshtetit janë në ekonominë e vendit.

Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër në botë, janë çvlerësuar euroja dhe dollari.

Monedhat më të fuqishme në planet janë çvlerësuar përkatësisht me 32% dhe 35%, e po aq janë çvlerësuar edhe eksportet e vendit.

Për rrjedhojë, prodhimi industrial në Shqipëri, sipas Eurostat-it, ka rënë me 15.3%.

Kurse treguesi i ndërtimit, sektor ku lahen paratë e drogës, është tri herë më i lartë se mesatarja e BE-së.

Pasojat më të rënda të narkoshtetit pasqyrohen me shokun demografik të pashembullt në historinë tonë.

Po sipas Eurostat-it, në 10 vitet e fundit emigruan vetëm në zonën Schengen 1,099,000 qytetarë.

Nëse shtohen edhe ata që kanë emigruar në zona të tjera, del se 47% e shqiptarëve janë larguar nga vendi.

Regjistri i Gjendjes Civile tregon se lindjet sot kanë rënë në nivelin e 100 viteve më parë, kur Shqipëria kishte nën 1 milion banorë.

Problemi madhor lidhur me narkoshtetin qëndron te mohimi i tij, dhe në fakt ky mohim është mbështetje e tij, me dashje apo pa dashje.

Po kështu, ideja se narkoshteti në Shqipëri mund të çmontohet nga dy apo tre prokurorë nuk është aspak realiste. Qëndrime të hapura politike kundër tij dhe masa të tjera ndaj regjimit janë të domosdoshme.

Të nderuar miq,

Ne e duam Shqipërinë në Bashkimin Europian jo vetëm për përfitimet ekonomike apo politike, por sepse Europa përfaqëson demokracinë, shtetin e së drejtës, institucionet funksionale dhe respektin për qytetarin.

Pikërisht për këtë arsye, procesi i anëtarësimit duhet të mbetet rigoroz dhe i bazuar në standarde të matshme. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për anëtarësim formal, por për europianizimin e vërtetë të qeverisjes së saj.

Ne duam një Shqipëri që drejtohet nga qeveritarë që respektojnë institucionet, kundërshtarin politik dhe qytetarin e zakonshëm.

Ne duam një Shqipëri që nuk konsumon farsa elektorale dhe burgos liderin e opozitës në vitin elektoral sic ndodhi me Sali Berishen themeluesin e pluralizmit politik, ish kryeministrin dhe ish presidentin e vendi

Ne duam një Shqipëri që organet e sigurisë kombëtare, si SHIK-u apo Policia, të mos merren peng nga krimi i organizuar e në funksion të tij! Ne duam që bandat kriminale të jenë aty ku e kanë vendin dhe të mos mbështeten nga qeveria për të ndryshuar verdiktin popullor në zgjedhje.

Europa nuk mund të jetë vetëm një fjalë që shqiptohet në Bruksel. Ajo duhet të ndihet në Tiranë, në Shkodër, në Lezhë, në Korçë, në Vlorë dhe në çdo komunitet të Shqipërisë.

Ajo duhet të matet me zgjedhje të lira, drejtësi të besueshme, institucione të pavarura, media të lira dhe respekt për qytetarin.

Në fund të fundit, sfida e Shqipërisë nuk është të bindë Brukselin se është europiane. Sfida është që çdo qytetar shqiptar ta ndiejë Europën në jetën e përditshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb