Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ngriti në Konferencën Ndërparlamentare me Bashkimin Europian shqetësimin për atë që e cilësoi si një “luftë të paprecedentë” ndaj drejtësisë në Shqipëri, duke paralajmëruar se po rrezikohet një nga investimet më të rëndësishme të BE-së dhe SHBA-së në vend.
Shehaj tha se shqiptarët e shohin integrimin europian si shpresën për garantimin e të drejtave të tyre dhe theksoi se procesi i anëtarësimit nuk duhet të ndalet.
“Sigurisht shqiptarët duan Bashkimin Europian. Absolutisht. Nuk e duan vetëm sepse mendojnë që Shqipëria është pjesë e Europës por se e shikojnë si shpresë. Shikojnë dhe mendojnë dhe shpresojnë që ditën që Shqipëria do të jetë pjesë e BE më në fund ata do të kenë të drejta, do t’u njihen të drejtat. Kjo është ëndrra e madhe e shqiptarëve. T’u njihen të drejtat”, deklaroi Shehaj.
Sipas tij, pikërisht në këtë moment rrezikohet një prej investimeve kryesore të partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri: sistemi i ri i drejtësisë.
“Dhe arsyeja pse për mua ishte shumë e rëndësishme të flisja para jush është sepse nuk do sot po rrezikojmë një nga investimet më të rëndësishme që ka bërë BE me ndihmën dhe të SHBA të bllokohet, të ndalet. Sepse drejtësia nuk është thjesht nën presion. Drejtësisë po i bëhet një luftë e paprecedentë”, tha ai.
Shehaj akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se sulmojnë drejtësinë sa herë që përfaqësues të pushtetit përballen me hetime apo akuza për korrupsion.
“Kryeministri i Shqipërisë, ju e keni dëgjuar në këto konferenca sesi flet për drejtësinë por ju nuk keni parë anën tjetër të medaljes, se si flet kryeministri i Shqipërisë kur iu flet shqiptarëve, se si i sulmon ata nëpërmjet mediave të tij, në mënyrë të përditshme. Çdo herë që ata nxjerrin para drejtësisë përfaqësuesit e kësaj mazhorance dhe i akuzon për korrupsion Edi Rama del dhe sulmon drejtësinë”, deklaroi kreu i Mundësisë.
Ai iu referua gjithashtu përplasjes për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e paraqitur atë si pjesë të presionit ndaj sistemit të drejtësisë.
“Arriti deri aty sa nuk u pagoi pagat. Sepse Edi Rama mendon që pagat për një prokuror, për një gjyqtar, janë si pagat e tyre, si pagat e politikanëve të korruptuar që kanë qeverisur këtë vend këto 35 vjet. Ata nuk kanë nevojë për paga sepse janë të papërfillshme në krahasim me përfitimet që kanë nga pushteti. Por drejtësia sigurisht nuk është e kulluar. Po aty ka prokurorë dhe gjykatës që me ato paga jetojnë”, u shpreh Shehaj.
Në fjalën e tij, Shehaj foli edhe për protestat që vijojnë prej më shumë se tre muajsh në Tiranë dhe për problemet që, sipas tij, qytetarët shqiptarë hasin në garantimin e të drejtave themelore.
“Duhet të kuptoni të nderuar miq të Shqipërisë që Shqipëria fatkeqësisht është vend i padrejtësive. Dhe ashtu si unë si kryetari i një partie opozitare duhet të luftoj për fjalën e lirë për të bërë opozitë, ashtu çdo qytetar shqiptar lufton çdo ditë për të drejtat themelore që ju as nuk mund ta imagjinoni”, tha ai.
Shehaj e mbylli fjalën duke falënderuar përfaqësuesit europianë për mbështetjen ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.
“Ju falënderoj që jeni këtu dhe që vazhdoni dhe besoni pavarësisht problemeve, që Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE.”
