Kombëtarja shqiptare ka fituar 3-0 ndaj San Marinos ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, duke bërë “detyrën” përballë një skuadre e cila mbyll renditjen e FIFA-s. E bëri me një lojë të thjeshtë e disa herë edhe duke u vënë në vështirësi nga ekipi vendas, sado modest që ishte ai.
Në këto vite, jemi mësuar që edhe pas fitoresh të tilla “të shëmtuara”, futbollistët, stafi apo FSHF ta trumbetojnë suksesin si spektakolar. Lojtarët në kor e cilësojnë vazhdimisht një arritje të madhe, sado që realiteti mund të jetë shpesh ndryshe.
Dhe në mes të këtij anormaliteti, postimi i sotëm i Anis Mehmetit në rrjet duket krejtësisht ndryshe dhe jep shpresa se në radhët e kuqezinjve mund të ketë përsëri nga ata lojtarë që i shohin gjërat drejt. Mjafton një fjali e thjeshtë, për të treguar sinqeritetin e tij dhe për të dhënë një sinjal se me një brez të ri lojtarësh që po vjen, pasqyrimi i çdo gjëje me “zbukurime” pa asnjë autokritikë, mund të marrë fund.
“Nuk ishte ndeshja më e bukur, por tre pikë të tjera të rëndësishme”, ishte mesazhi i thjeshtë i Mehmetit. Pak fjalë, por që duket se pasqyrojnë shumë më mirë realitetin e asaj që ishte paraqitja e kuqezinjve, pa “zbukurimet” e rastit.

