Deputeti i PD-së, Enno Bozdo, ka reaguar në Facebook pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të gjendjes së ekonomisë shqiptare.

“E vërteta kundër propagandës!”, shkruan Bozdo, duke renditur disa prej problematikave të evidentuara në raport.

Sipas tij, raporti ngre shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të paligjshme në ekonomi. Në raport thuhet se komuniteti i biznesit raporton se të ardhurat e paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg, ndërsa investitorët kanë raportuar edhe raste presioni apo zhvatjeje nga administrata publike dhe grupe kriminale.

Bozdo ndalet gjithashtu te kontratat e partneritetit publik-privat (PPP). Raporti i DASH vlerëson se përdorimi i vazhdueshëm i PPP-ve ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe për investitorët e huaj, ndërsa përmenden analiza të dobëta dhe mungesë ekspertize teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave.

Një tjetër pikë e reagimit lidhet me investimet strategjike. Sipas raportit amerikan, shumica e rreth 60 projekteve të miratuara janë të përqendruara në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas. Raporti vëren gjithashtu se kjo ka ushqyer perceptimin te investitorët e huaj se skema ka përfituar kryesisht kompani vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse

Në reagimin e tij, Bozdo thekson edhe korrupsionin, informalitetin, problemet me pronësinë dhe zbatimin e kontratave si faktorë që ndikojnë në klimën e investimeve.

“Ky është bilanci që del nga raporti amerikan: krimi dhe paratë e paligjshme deformojnë tregun, PPP-të kufizojnë konkurrencën, ‘investimet strategjike’ favorizojnë klientelën qeveritare, ndërsa korrupsioni dhe pasiguria juridike largojnë investitorët”, shkruan Bozdo.

Raporti i DASH, ndërkohë, thekson se Shqipëria ka një kuadër ligjor përgjithësisht të përshtatshëm për investimet e huaja, por investitorët vazhdojnë të evidentojnë korrupsionin, konkurrencën e shtrembëruar, informalitetin, pasigurinë mbi pronësinë dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të klimës së biznesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: