Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur qëndrimin e tij kundër së drejtës së vetos brenda Bashkimit Europian, duke deklaruar se Shqipëria nuk humbet asgjë nëse anëtarësimi i saj shoqërohet me një mekanizëm ku vendi nuk mund të bllokojë vendimmarrjen e unionit.

Gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se ka argumente të forta kundër vetos, të cilën e konsideroi një mekanizëm të tejkaluar.

“Kam të gjitha arsyet dhe argumentet që të mbroj argumentin se e drejta e vetos nuk i bën mirë BE-së, as vendeve anëtare dhe, mbi të gjitha, meqë ju e quani të drejtë që ne, me demek, po e dorëzojmë, unë po ju kujtoj që Shqipëria ka qenë viktimë e ushtrimit të asaj të drejte, e një vetoje ose e një mekanizmi i cili, në kohët e sotme, është një mekanizëm i tejkaluar, sipas meje”, deklaroi Rama.

Kryeministri iu referua në këtë mënyrë edhe rasteve kur procesi i integrimit të Shqipërisë është përballur me bllokime nga vende anëtare të BE-së.

Sipas Ramës, Shqipëria nuk duhet ta shohë veton si një instrument që i nevojitet për të treguar forcë pas anëtarësimit në Bashkimin Europian. Përkundrazi, ai tha se vendi duhet ta konsiderojë privilegj faktin që do të jetë pjesë e tryezës europiane si i barabartë mes të barabartëve.

“Nuk besoj se duke mbrojtur këtë ide ne si Shqipëri humbim gjë, sepse nuk do të na duhet vetoja të bëjmë të fortin në tryezën e një familjeje ku duhet të ndihemi të privilegjuar të jemi të barabartë mes të barabartësh, jo të bëjmë të fortin duke i rënë me grusht tavolinës”, u shpreh Rama.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb