Kombëtarja shqiptare ka vijuar sot përgatitjet për ndeshjen e radhës në UEFA Nations League, pas fitores 0-3 ndaj San Marinos në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme.

Skuadra kuqezi zhvilloi një seancë stërvitore në stadiumin “Dino Manuzzi” të Cesenës, me programin e punës të përshtatur sipas minutave të aktivizimit të lojtarëve. Futbollistët që u aktivizuan ndaj San Marinos zhvilluan një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e grupit ndoqi një program të plotë stërvitor, me ushtrime fizike dhe tekniko-taktike, si edhe punë me skema dhe situata të ndryshme të lojës.

Në stërvitje u bashkua edhe Klisman Cake, i cili është rikuperuar në kohë dhe është i gatshëm për ndeshjen e radhës.

Kombëtarja do të zhvillojë nesër, në orën 11:00, seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Dino Manuzzi” të Cesenës. Pas përfundimit të stërvitjes, skuadra do të udhëtojë drejt Finlandës, ku do të vijojë përgatitjet për sfidën e radhës.

Shqipëria do të përballet me Finlandën të shtunën, më 3 tetor, në orën 15:00, në kuadër të UEFA Nations League.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb