Aktivisti Orion Çela, i ftuar në News24 me gazetaren Daljana Sejdia, ka komentuar protestën e zhvilluar sot në Tiranë, duke deklaruar se një prej synimeve ishte që presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, t’i përcillej mesazhi se qytetarët protestojnë prej 123 ditësh dhe kërkojnë edhe mbështetjen e Bashkimit Europian.
“Protesta ishte për të thënë që kemi 123 ditë në protestë dhe duam edhe mbështetjen e BE-së. Policia na ka shtyrë me justifikimin e perimetrit të sigurisë. Qytetarët nuk mund të izolohen për të thënë fjalën e tyre. Mendoj se sot u përcoll mesazhi që ne donim”, deklaroi Çela.
I pyetur se çfarë do t’i thoshte Von der Leyen nëse do të kishte mundësi ta takonte, aktivisti u shpreh se protestuesit mbështesin integrimin europian, por kërkojnë ndryshim politik në vend.
“Nëse do të mundesha, Von der Leyen do të doja t’i thosha që e duam BE-në dhe të na ndihmojnë ta çojmë vendin në BE pa Ramën”, tha ai.
Çela u shpreh se protesta vijon të prodhojë shpresë dhe motivim, ndërsa pretendoi se qytetarët janë të zhgënjyer nga zhvillimet politike dhe nga fakti që kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë dorëheqjen.
“Në protestë ka shpresë ende, motivohemi edhe më shumë madje. Shqiptarët janë të zhgënjyer që pas gjithë këtyre skandaleve, Rama nuk po e jep dorëheqjen. Janë të zhgënjyer nga klasa e kalbur politike. Shqiptarët e kanë vrarë frikën për të protestuar”, u shpreh Çela.
Ai paralajmëroi një pjesëmarrje të shtuar të studentëve më 13 tetor, duke e cilësuar angazhimin e të rinjve si një element të rëndësishëm për vijimin e protestës.
“Më 13 tetor presim studentët masivisht, kur janë organizuar studentët. Presim rini, gjallëri, shpresë, energji. Besoj se do të jetë arsyeja që do të rrëzojë Ramën”, deklaroi aktivisti.
Në fund, Çela këmbënguli se kërkesa e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit.
“Protesta nuk mbyllet pa dorëheqjen e Ramës. Me kryeministrin nuk negociojmë”, përfundoi ai.
