Avokati Plarent Ndreca është paraqitur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të zhvillohet seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në këtë seancë, trupa gjykuese pritet të shqyrtojë edhe kërkesën e Veliajt për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale në këmbën e dëmtuar në një spital në Tiranë, të përzgjedhur prej tij, dhe jo në Spitalin Memorial të Fierit, siç kishte përcaktuar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Kryebashkiaku e ka kundërshtuar vendin e përcaktuar për ndërhyrjen dhe të hënën ka refuzuar të kryejë operacionin në spitalin e Fierit. Për këtë arsye, ai i është drejtuar gjykatës me kërkesën që trajtimi mjekësor të kryhet në një institucion shëndetësor në kryeqytet. Ndërkohë, Veliaj pritet të mos jetë fizikisht i pranishëm në seancën e sotme.
Edhe në seancën e kaluar, kryebashkiaku kërkoi shtyrjen e gjyqit, duke argumentuar se nuk kishte mundësi të merrte pjesë për shkak të problemeve shëndetësore. Megjithatë, trupa gjykuese nuk e pranoi kërkesën dhe procesi vijoi në mungesë të tij.
Gjatë diskutimeve, prokurori Ols Dado argumentoi se Veliaj nuk ndodhej në një gjendje të tillë shëndetësore që t’ia pamundësonte pjesëmarrjen në seancë. Në mbështetje të qëndrimit të tij, ai përmendi edhe kërkesën e kryebashkiakut për të qenë i pranishëm në Asamblenë e Partisë Socialiste, më 14 nëntor.
