Presidenti amerikan Donald Trump pritet të njoftojë një projekt investimi prej 54 miliardë dollarësh nga Koreja e Jugut në Shtetet e Bashkuara, që përfshin ndërtimin e një gazsjellësi të madh në Alaskë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, projekti lidhet me zhvillimin e infrastrukturës për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe do të transportojë gazin nga veriu i Alaskës drejt një porti në pjesën jugore të shtetit, nga ku do të eksportohet drejt tregjeve aziatike.

Gazsjellësi parashikohet të shtrihet për rreth 1,300 kilometra. Projekti do të zhvillohet nga grupi amerikan Glenfarne, me 75% të pjesëmarrjes, dhe shteti i Alaskës me 25%.

Sipas të dhënave të projektit, ndërtimi pritet të krijojë rreth 12 mijë vende pune, ndërsa deri në 1 mijë vende pune parashikohen gjatë fazës së operimit. Projekti nuk pritet të nisë funksionimin para vitit 2030.

Megjithatë, nisma përballet me pikëpyetje lidhur me kostot, qëndrueshmërinë ekonomike dhe ndikimin në mjedis. Zona ku do të kalojë infrastruktura është një territor i largët i Alaskës, i pasur me hidrokarbure, por edhe habitat i specieve të mbrojtura, përfshirë arinjtë polarë, arinjtë grizli dhe kaributë.

Administrata Trump ka lehtësuar disa prej kufizimeve mjedisore për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit në rajon, masa që më parë ishin kundërshtuar ose kufizuar nga administrata e Joe Biden.

Projekti synon kryesisht tregjet aziatike. Kompania japoneze JERA, një prej prodhuesve kryesorë të energjisë në Japoni, ka deklaruar se po shqyrton blerje të konsiderueshme të LNG-së që mund të furnizohet përmes këtij projekti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb