Shqyrtimi i reformës administrativo-territoriale u shoqërua me replika të forta në Komisionin e Ligjeve, ku opozita kundërshtoi mënyrën dhe ritmin e ndjekur për draftin. Deputetët Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri kërkuan që përpara vijimit të procedurës të merren në konsideratë edhe qëndrimet e bashkive dhe nisma e opozitës.
Korreshi akuzoi drejtuesin e komisionit se po i jep përparësi nismës së mazhorancës, ndërsa ironizoi edhe mënyrën se si janë trajtuar shkresat e ardhura nga pushteti vendor. Ai kërkoi që të gjitha materialet e depozituara në Kuvend të administrohen nga Komisioni përpara se të merret një vendim përfundimtar.
“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është binjakëzuar me Nikon? Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë. Nuk kemi ardhur për të folur për peshqit. Në Lushnje që ngordhën. Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën ti marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flerë pas gjumit. Këtu nuk paska fjet gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?”, tha Korreshi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u përgjigj se edhe nisma e opozitës është përcjellë për konsultim te bashkitë, duke argumentuar se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë e njëjtë.
“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili e akuzoi Manjën se po vijon procedurën pa pritur administrimin e plotë të qëndrimeve të pushtetit vendor. Strazimiri kërkoi që të dyja nismat të shqyrtohen së bashku dhe ngriti pretendimin se po veprohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.”, pohoi Manja.
Sakaq, Strazimiri tha; “Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje qe herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan. Ju dhe rreni. Duhet të dëgjojmë Maznikun”.
“Mos e dëgjoni, e dëgjojmë ne”, shtoi Manja. Sakaq, Strazimiri shtoi: “Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë. Ju thoni me datë 8 kjo ka mbaruar. Je në shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Këto që po themi janë argumente që të mund të kuptosh se je në një kohë që nuk e drejton më ky yll shtetin, por ato dy librat që ke aty. Je aty të zbatosh ato libra që ke aty dhe jo si të duash ti. 15 bashki ishin që interesoheshin, tani janë bërë 16, edhe e Krujës.”.
