Kompozitori Adi Hila është marrë në pyetje për disa orë nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës, lidhur me hetimet për filmimet e artisteve në studion e tij. Pas marrjes në pyetje, Hila është lënë i lirë, ndërsa grupi hetimor ka kryer këqyrje në ambientet e studios.

Burime bëjnë me dije se gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar se kamera e dyshuar është e dallueshme vetëm nëse shihet me vëmendje. Deri në këtë fazë të hetimit, nuk raportohet të jenë sekuestruar materiale për t’iu nënshtruar ekspertimit.

Hetimi paraqet vështirësi për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga momenti kur dyshohet se janë realizuar filmimet. Për këtë arsye, ekspertët po përpiqen të rindërtojnë rrethanat dhe mënyrën se si janë regjistruar materialet.

Gjatë dëshmisë së tij, kompozitori është paraqitur i tronditur, ndërsa një pjesë e rëndësishme e pyetjeve është përqendruar te pista e mundshme e hakerimit të sistemit të kamerave. Hetuesit po verifikojnë dyshimet nëse pajisjet e vëzhgimit mund të jenë aksesuar në mënyrë të paautorizuar dhe nëse materialet janë marrë apo publikuar përmes ndërhyrjes në sistem.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb