Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi, ka komentuar draftin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke ngritur disa pikëpyetje për mënyrën se si është hartuar dhe për disa prej parashikimeve të tij.
Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Qeleshi u ndal te kontrollet e banesave, provat elektronike dhe masat e sigurisë. Ajo tha se avokatët nuk i njohin ekspertët që kanë hartuar draftin dhe se nuk kanë marrë përgjigje për shqetësimet e ngritura prej tyre. Qeleshi foli gjithashtu për veprën e shpërdorimit të detyrës dhe efektet që mund të kenë ndryshimet e propozuara në rastet kur dënimi është nën 5 vite.
“Gjykata Kushtetuese thekson se kontrollet e telefonave dhe celularëve duhet të bëhen me vendim. Ne nuk i njohim ekspertët që kanë hartuar draftin e Kodit të Procedurës Penale. Avokatëve nuk u përgjigjet askush. Nëse ndalemi te bojkoti i avokatëve, ne kemi një muaj me këtë vendim dhe ende nuk ka një komunikim mbi situatën. Shpërdorimi i detyrës shkon deri në 7 vite burg. Por nëse gjykohet me vendim të shkurtuar, bëhet deri në 4 vite e ca. Çështjet për shpërdorim detyre dënohen deri në 7 vite, ndaj s’mund të përcaktohen nëse do të dënohen poshtë 5 vite. Me 5 vite e poshtë, nuk dënohesh me burg me Kodin e ri Penal. Këto ndryshime po bëhen për t’iu përgjigjur një situate për masat e sigurisë. Jo vetëm për efekt të ligjshmërisë, por dhe praktikave që shteti ka kosto me paraburgimet dhe për të reflektuar nevojat. Po ashtu, nuk mund të vijnë për kontroll se vendos dikush në mëngjes që, në prani të fëmijëve të mitur, të bëhen kontrolle, se ti ke punuar dikur, për shembull, në një kompani para 10 vitesh.”, tha Qeleshi.
