Ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore dhe zhvillimin e seancave me dyer të mbyllura. Karanxha tha në emisionin ‘Minuta e parë’ në News24 me Ola Brukon se në çështjet ku akuzat lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe dëmtimin e buxhetit të shtetit, proceset duhet të jenë të hapura dhe publike.
Sipas tij, kur viktimë e veprës së dyshuar është shteti, duhet të jetë publike edhe mënyra se si trajtohen çështjet që lidhen me fondet publike. Ish-prokurori kërkon gjithashtu që publikimi të mos lidhet vetëm me kërkesën e të pandehurit, por të mund të kërkohet edhe nga prokurori.
“Kur ke shpërdoruar detyrën dhe ke vjedhur shtetin, viktimë në këtë rast është shteti. Ndaj këto dispozita duhet të bëhen publike. Madje duhet të bëhet publike kush ka futur duart te buxheti i shtetit. Mos të jetë vetëm kërkesa e të pandehurit, por dhe kërkesa e prokurorit. Pavarësisht se vendimmarrja është gjykata, por duhet të dalin provat. Mos të bëhemi si skeçi i Fadil Hasës që të flasim me gërma. Të pëlqen apo jo, duhet ta dëgjosh parimin.”, tha ai.
