Juristi Rezart Kthupi, në një intervistë për “News24”, komentoi ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur te përdorimi i masës së arrestit me burg si edhe te mundësia e zëvendësimit të arrestit me burg me garanci pasurore.
Kthupi tha se, në rastin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion në përmasa të mëdha, një garanci pasurore mund të jetë një masë shumë më e lehtë për t’u përmbushur dhe t’i lejojë personit të vijojë të jetë i lirë.
“Nëse një zyrtar i Republikës së Shqipërisë akuzohet për korrupsion në përmasa të mëdha, një garanci pasurore që zëvendëson arrestin me burg do të ishte shumë e thjeshtë për t’u përmbushur. Në këtë mënyrë, ai do t’i nënshtrohej një mase shumë më të lehtë dhe do të ishte i lirë të qarkullonte.
Kur Shqipëria ka një fluks të madh veprash penale që lidhen me korrupsionin, dispozita duhet të parashikonte përjashtime për vepra të caktuara.
Është bërë një përjashtim për veprat penale që kanë dënime shumë të mëdha, por përjashtimi duhet të ishte edhe për ato vepra që ndikojnë në jetën e përditshme. Nëse garancia pasurore konsiderohet e papërshtatshme për veprat e rënda, e njëjta gjë duhet të merret në konsideratë edhe për vepra që nuk janë të rënda në vetvete, por që përbëjnë një plagë sociale. Në këtë kuptim, korrupsioni në Shqipëri është një plagë sociale dhe duhet të trajtohet si e tillë edhe në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Fakti që kjo nuk bëhet lë hapësirë për dyshimin e arsyeshëm se mund të ketë një qëllim të dytë, përtej rregullimit ose përmirësimit të ligjit, për të lehtësuar pozitën procedurale të personave të përfshirë në çështje korrupsioni”, tha ai.
Sipas tij, ligji duhet të parashikojë përjashtime edhe për vepra të caktuara që lidhen me korrupsionin, pasi, edhe kur një vepër nuk konsiderohet e rëndë për nga dënimi, mund të ketë pasoja të konsiderueshme sociale.
Kthupi theksoi gjithashtu se një nga risitë është mundësia që gjykata të caktojë krahas arrestit me burg edhe një masë garancie pasurore, duke i dhënë personit mundësinë të zgjedhë alternativën e parashikuar nga ligji.
“Aq shumë është përdorur masa e arrestit me burg në Shqipëri, sa u detyrua Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të merrte disa vendime kundër shtetit shqiptar për këtë çështje. Vendime të cilat më pas detyruan Gjykatën e Lartë që të shprehej me një vendim njësues për të korrigjuar atë që ishte praktika gjyqësore. Kështu që ndryshimet e fundit ligjore shkojnë në të njëjtin kah, për të rregulluar një problematikë tashmë të krijuar në Shqipëri, sidomos në vitet e fundit. Është një problematikë e krijuar specifikisht me një ndërhyrje shumë të fortë politike të ekzekutivit në proceset gjyqësore.
Sot jemi në ditën kur vetë ekzekutivi e shikon të nevojshme që të korrigjojë Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, duke e kufizuar arrestin me burg, atë që është në realitet edhe fryma e ligjit aktual që kemi, si një masë e jashtëzakonshme. Për ta kufizuar ligjërisht, vendosim disa kritere, që janë kriteret tre-, katër- dhe pesëvjeçare, në varësi të dispozitës dhe momentit procedural në të cilin bëhet hetimi. Këto kritere kufizojnë mundësinë e gjyqtarit dhe prokurorit për të vendosur masën e arrestit me burg për vepra që janë relativisht të lehta, që janë vepra që dënohen, në minimumin e tyre, me tre, katër apo pesë vjet, dhe që kufizojnë tashmë të drejtën e gjykatës për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.
