Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike drejt Detit Lindor, i njohur në gadishullin Korean si Deti i Japonisë, duke shkaktuar alarm te forcat e armatosura të vendeve të rajonit.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare në Seul, raketa u lëshua nga zona bregdetare e Wonsan. Ushtria e Koresë së Jugut po monitoron nga afër lëvizjet e forcave të Phenianit, ndërsa ka rritur nivelin e gatishmërisë në koordinim me ushtrinë amerikane.

Ndërkohë, Ministria japoneze e Mbrojtjes bëri të ditur se raketa ra në ujëra ndërkombëtare, jashtë Zonës Ekonomike Ekskluzive (EEZ) të Japonisë. Sipas autoriteteve japoneze, nuk janë raportuar dëme ndaj anijeve apo avionëve si pasojë e lëshimit.

Testi i ri raketor vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes dy Koreve. Vetëm të premten, Koreja e Veriut hodhi poshtë akuzat e Seulit se minat e vendosura nga forcat e saj kishin shkaktuar plagosjen e rëndë të disa ushtarëve koreanojugorë brenda zonës së demilitarizuar (DMZ).

Pheniani refuzoi gjithashtu kërkesën e Koresë së Jugut për një kërkimfalje zyrtare lidhur me incidentin. Lëshimi i raketës disa orë më vonë ka shtuar tensionet në rajon dhe ka rikthyer vëmendjen te programi raketor i Koresë së Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb