Analisti Aulon Kalaja ka komentuar ardhjen në Shqipëri të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, duke e cilësuar atë si një figurë që, sipas tij, do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme politike në vend.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, Kalaja tha se ardhja e Wendt në Tiranë nuk duhet parë si një zhvillim i shkëputur nga situata politike dhe hetimet e fundit në Shqipëri.

“Kemi ardhjen e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Ditët e fundit na u hapën disa dosje. Mendoni se është rastësi? Rrethanat dhe koincidencat e tepërta nuk janë kurrë rastësi”, deklaroi Kalaja.

Sipas tij, Wendt është një diplomat me një profil të fortë në fushën e sigurisë dhe se e njeh mirë situatën në Shqipëri dhe rajon.

“Unë gjykoj që ai po përcakton terrenin ku do të zhvillohet loja në Shqipëri. Është artileri e rëndë. I njeh shumë mirë politikat e brendshme të Shqipërisë. E kam dëgjuar në Amerikë kur foli atje, problemin shqiptar e njeh shumë mirë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë, edhe Kosovën”, u shpreh ai.

Kalaja pretendoi se prania e ambasadorit të ri amerikan mund të sjellë një përballje më të fortë me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

“Këtu bëhet fjalë për një përballje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kartelet e drogës. Kujdes. Pra, ata kanë informacion për kartelet e drogës. Ata kanë informacion se çfarë ndodh në portin e Durrësit dhe kush i kishte çelësat e portit të Durrësit. Ne e dimë shumë mirë”, tha Kalaja.

Në vijim, Kalaja u ndal edhe te protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke argumentuar se ambasadori amerikan duhet, sipas tij, të mbajë një qëndrim publik ndaj tyre. Kalaja e cilësoi protestën si një faktor që, sipas tij, mund të ndikojë në zhvillimet politike dhe pretendoi se mbështetja e saj nga Shtetet e Bashkuara do të kishte një rëndësi të veçantë.

“Një protestë qytetare ku unë do të gjykoja që ambasadori amerikan do të duhej të dilte në krah të protestës, ta përshëndeste protestën, sepse aty janë shqiptarë. Aty janë edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe të qendrës, edhe pa parti”, u shpreh ai.

Në fund, Kalaja e lidhi situatën aktuale me qeverisjen e Edi Ramës, duke pretenduar se protestat kanë dëmtuar imazhin politik të kryeministrit.

“Rama sot është njeriu më i diskredituar në arenën ndërkombëtare. Nëse do t’i njohim një arritje protestës, është kjo. Nuk është më ky prestigjiatori, gastori i oborreve që bën për të qeshur. Nuk emocionon më nga atletët, por i thonë: ‘Zotëri, e ke popullin në shesh’”, deklaroi Aulon Kalaja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb