Një delegacion i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), i përbërë nga inspektorë magjistratë dhe jomagjistratë dhe i kryesuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune në Uashington, D.C., në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe krijimit të kanaleve të qëndrueshme të bashkëpunimit profesional.

Vizita e realizuar me mbështetjen e Qendrës Open Gov Hub Albania, përfshiu një program të gjerë me takime zyrtare, sesione trajnimi dhe shkëmbime profesionale me institucione të drejtësisë, institucione publike amerikane, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Në kuadër të vizitës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit nga znj. Amy Carnie, Drejtore e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore, pranë Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Gjatë takimit, z. Metani e njohu znj. Carnie me misionin, rolin dhe veprimtarinë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe me kontributin e institucionit në forcimin e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Z. Metani shprehu mirënjohjen për vlerësimin e znj. Carnie ndaj punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe për rëndësinë që i kushtohet forcimit të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes për avancimin e shtetit të së drejtës, forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e mëtejshëm të parimeve të llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe integritetit institucional në Shqipëri.

Në Gjykatën e Lartë të Distriktit të Kolumbias, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën nga gjyqtarja Rainey R. Brandt dhe, më pas, nga gjyqtarët Robert Okun dhe Stephen H. Glickman. Gjatë takimeve, gjyqtarët ndanë përvojën e tyre profesionale, me fokus etikën gjyqësore dhe standardet e sjelljes profesionale, në cilësinë e anëtarëve të Komitetit Këshillimor për Sjelljen Gjyqësore.

Gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni i ILD-së zhvilloi gjithashtu takime pune me përfaqësues të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe të Bibliotekës së Kongresit, si dhe me drejtues dhe përfaqësues të Open Gov Hub dhe Fondacionit Obama.

Integriteti, llogaridhënia dhe forcimi i bashkëpunimit institucional ishin në fokus të takimeve me institucionet dhe organizatat amerikane. Diskutimet u përqendruan në çështje të rëndësishme për funksionimin e sistemit të drejtësisë, ndër të tjera, pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore, sistemet disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët, metodologjitë e inspektimit, etikën profesionale, integritetin institucional, transparencën, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, transformimin digjital dhe forcimin e besimit të publikut te institucionet e drejtësisë.

Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua shkëmbimit të përvojave mbi organizimin dhe funksionimin e mekanizmave të inspektimit dhe disiplinimit, si dhe praktikave që lidhen me etikën dhe përgjegjësinë profesionale të magjistratëve.

Përmes këtyre takimeve, delegacioni i ILD-së pati mundësinë të njihej nga afër me modele dhe praktika institucionale amerikane, me synim identifikimin e përvojave me interes për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe për përmirësimin e procedurave dhe metodologjive të inspektimit.

Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave krahasuese përbën një mundësi të rëndësishme për vijimin e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e përpjekjeve për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb