Më pak plastikë në hotele dhe më shumë mbetje organike që rikthehen në bujqësi. Janë dy mënyra konkrete se si ekonomia qarkulluese po zbatohet në praktikë në Shqipëri, me synim reduktimin

e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Në sektorin e hotelerisë, produktet plastike njëpërdorimëshe po zëvendësohen me alternativa të ripërdorshme.
“Në 6-mujorin e këtij viti ne kemi reduktuar një ton mbetje plastike. Shumëllojshmëri mbetjesh plastike, që nga pipat, gotat, produktet mbështjellëse, që në hoteleri janë të domosdoshme, janë zëvendësuar me produkte tekstili, me pipa bambuje, kallam sheqeri apo pjata druri, apo produkte të tjera që minimizojnë ndikimin në mjedis. Jemi falënderues, pasi po shikojmë ndikim tek pjesa financiare, si edhe ndikim në mjedis,” u shpreh Endri Çela, koordinator i projektit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërsa në Lushnjë, një material që dikur konsiderohej mbetje po merr një tjetër vlerë. Bërsia e ullirit po përpunohet përmes një procesi të kontrolluar kompostimi, me synim rikthimin e saj në bujqësi.

“Mbi përpunimin e bërsisë së ullirit, material organik që dikur konsiderohej mbetje. Investimet në përpunim kanë bërë të mundur që kjo mbetje të kthehet në një produkt të tregtueshëm, duke krijuar vlerë dhe për fabrikat e vajit që e prodhojnë atë. Në ciklin e parë të pilotit kemi përfshirë rreth 500 tonmateriale. Përmes një procesi të kontrolluar kompostimi, këto materiale po transformohen në një produkt organik që synojnë ta rikthejnë në bujqësi,” tha Endi Ylli, sipermarres.

Këto nisma lidhen edhe me objektivat e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian. Sipas përfaqësuesit të Delegacionit të BE-së, ekonomia qarkulluese është një prej direktivave që vendi duhet të përmbushë.

Aktiviteti u organizua nga EU4GreenGen, në bashkëpunim me EU4CELC, në kuadër të Fushatës Rajonale për Menaxhimin e Mbetjeve. Këto iniciativa po realizohen në kuadër të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuara nga GIZ.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb