Dr. James Abdey, zëvendësdrejtor akademik i Programeve Globale dhe profesor i asociuar në Departamentin e Statistikës pranë London School of Economics and Political Science (LSE), u ka bërë thirrje të rinjve dhe maturantëve shqiptarë të zgjedhin Universitetin “Luarasi” për të ndjekur studimet e tyre të larta.
Profesori britanik ka theksuar avantazhet e ndjekjes së programeve akademike ndërkombëtare në Shqipëri, duke nënvizuar se studentët mund të përfitojnë një arsimim të nivelit botëror, pa qenë të detyruar të largohen nga vendi dhe të përballen me kostot e larta të jetesës jashtë.
“Arsimi ka shumë kosto, ndaj i inkurajoj studentët të studiojnë në vendin e tyre. Të përdorin diplomën e LSE-së për të ndjekur më pas studimet e masterit në LSE, në Angli”, u shpreh Abdey.
Duke folur për bashkëpunimin me Universitetin “Luarasi”, profesori bëri të ditur se bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, i cili mund të zgjerohet në të ardhmen me programe të tjera studimi, në varësi të kërkesave të tregut shqiptar të punës.
“Kjo është vizita ime e katërt në Shqipëri. Është një program afatgjatë. Po kalojmë në brezin e dytë të studentëve. Në varësi të nevojave dhe kërkesave të tregut në Shqipëri, mund të zgjerojmë programet”, deklaroi ai.
Abdey theksoi se cilësia e arsimit nuk duhet të kushtëzohet nga gjeografia, ndërsa vuri në dukje se mundësia për të ndjekur programe të LSE-së në Shqipëri u krijon studentëve avantazhe akademike, ekonomike dhe familjare.
“Të rinjtë dhe maturantët duhet të zgjedhin ‘Luarasin’, sepse zgjedhja e një universiteti nuk ka të bëjë me gjeografinë. LSE është universiteti më konkurrues në Britani. Atje nuk ka hapësirë fizike për të arsimuar një numër aq të madh studentësh. Prindërit kërkojnë që fëmijët të qëndrojnë pranë shtëpisë edhe kur arsimohen, pasi janë të rinj dhe po ndërtojnë maturitetin e tyre. Rrethanat e njerëzve janë të ndryshme”, tha profesori.
Në përfundim, Abdey përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për maturantët shqiptarë që ndodhen përpara zgjedhjes së universitetit ku do të ndërtojnë të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.
“Ndiqni Universitetin ‘Luarasi’, sepse është vendimi më i mirë që mund të merrni”, u shpreh profesori i LSE-së.
