Kërkimet për të zbuluar natyrën e formacionit misterioz pranë malit Ararat, në lindje të Turqisë, kanë hyrë në një fazë të re. Për herë të parë, studiuesit nuk po mbështeten vetëm te fotografitë ajrore dhe skanimet e nëntokës, por kanë nisur shpimet për të marrë mostra fizike nga brendësia e strukturës.
Në qendër të kërkimeve është formacioni Durupınar, i cili nga ajri ngjan me konturin e një anijeje gjigante. Struktura është rreth 157 metra e gjatë dhe prej dekadash është lidhur nga disa studiues me përshkrimin biblik të Arkës së Noes.
Megjithatë, forma dhe përmasat e saj nuk përbëjnë në vetvete prova se nën tokë ndodhen mbetjet e një anijeje.
Gjatë vitit 2026, autoritetet turke miratuan një program të ri kërkimor në zonë, të drejtuar nga profesori Cenk Atilla i Universitetit Sivas Cumhuriyet, në bashkëpunim me ekipin “Noah’s Ark Scans”.
Për të studiuar formacionin po përdoren teknologji të ndryshme, mes tyre GPS, hartëzim tredimensional, LiDAR, radar depërtues në tokë dhe tomografi e rezistencës elektrike. Por faza më e rëndësishme e kërkimit lidhet me shpimet dhe marrjen e mostrave drejtpërdrejt nga nëntoka.
Deri tani janë marrë mostra nga thellësi që arrijnë në 18 metra. Ato do t’u nënshtrohen analizave për të përcaktuar përbërjen e tokës, praninë e lëndëve organike dhe, mbi të gjitha, nëse ekzistojnë gjurmë druri apo materiale të tjera që mund të tregojnë aktivitet njerëzor.
Vëmendjen e studiuesve e ka tërhequr veçanërisht ajo që ndodhi gjatë shpimeve më 23 shtator. Ekipi njoftoi se një prej pajisjeve u dëmtua pasi hasi një shtresë jashtëzakonisht të fortë rreth katër deri në pesë metra nën sipërfaqe.
Një nga mundësitë që po shqyrtohet është që materiali të jetë dru i fosilizuar ose shumë i mineralizuar. Megjithatë, studiuesit theksojnë se deri tani nuk ka prova që materiali është vërtet dru dhe përgjigjja pritet të vijë vetëm pas analizave laboratorike.
Edhe kërkimet e mëparshme kanë evidentuar anomali të pazakonta nën sipërfaqen e Durupınar. Skanimet e kryera ndërmjet viteve 2014 dhe 2021 kanë treguar struktura lineare dhe këndore, të interpretuara nga disa prej studiuesve si zona të mundshme të ndara brenda formacionit.
Ndërkohë, analizat e mostrave të tokës të marra në vitin 2024 treguan se disa pjesë brenda formacionit kishin përmbajtje më të lartë të lëndës organike sesa mostrat e marra jashtë tij.
Por as këto të dhëna nuk vërtetojnë se Durupınar është një anije. Anomalitë e regjistruara nga radarët mund të shkaktohen nga shkëmbinj, ujë, sedimente, boshllëqe ose ndryshime të dendësisë së materialeve nën tokë. Edhe përqendrimi më i lartë i lëndës organike mund të ketë shpjegime natyrore.
Misteri i Durupınar daton që prej vitit 1959, kur oficeri turk İlhan Durupınar identifikoi formën karakteristike në fotografitë ajrore. Vendndodhja e saj pranë malit Ararat bëri që formacioni të lidhej shpejt me historinë biblike të Arkës së Noes.
Gjeologë të ndryshëm, megjithatë, kanë argumentuar se struktura mund të jetë krijuar tërësisht nga procese natyrore, si rrëshqitjet e dheut, erozioni, lëvizjet tektonike dhe grumbullimi i materialeve gjeologjike.
Pikërisht këtë dilemë synojnë të sqarojnë analizat e reja. Nëse mostrat rezultojnë të përbëra vetëm nga materiale në përputhje me gjeologjinë e zonës, do të forcohej shpjegimi natyror. Por nëse zbulohen gjurmë druri të përpunuar ose materiale që nuk mund të shpjegohen përmes proceseve gjeologjike, Durupınar mund të bëhet objekt i kërkimeve të mëtejshme arkeologjike.
