Kombëtarja ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Air Albania” në prag të ndeshjes së katërt të UEFA Nations League me San Marinon.
Të gjithë lojtarët e grumbulluar janë stërvitur rregullisht nën urdhrat e trajnerit Rolando Maran për rreth 60 minuta me ekipin që u fokusua më shumë në pjesën taktike.
Mbrojtësi Ardian Ismajlit bëri stërvitje të diferencuar për shkak të ngarkesës fizike të akumuluar në tre ndeshjet e fundit me stafin mjekësor që konfirmon se lojtari do të jetë i gatshëm për sfidën me San Marinon dhe se nuk ka asnjë dëmtim.
Departamenti i Komunikimit i FSHF bën me dije se portieri Alen Sherri iu nënshtrua kontrolleve mjekësore pasi pati një shqetësim muskulor gjatë transfertës në Finlandë. Pas vizitave, stafi mjekësor konkludoi se Sherri nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme pasi nuk është në gjendje optimale për të luajtur.
Në vendin e tij është ftuar portieri i Kombëtares U-21, Alain Taho, i cili do të vihet nën urdhrat e trajnerit Maran paraditen e të martës.
Sakaq, mesfushori Feta Fetai nuk ka mundur të bashkohet me Kombëtaren U-21 për miqësoren me Ukrainën për problematika me dokumentacionin dhe është rikthyer në dispozicion të Kombëtares A për ndeshjen me San Marinon. Fetai kishte kaluar afatin 90-ditor të qëndrimit në zonën Shengen përgjatë 1 viti kalendarik dhe është në procesin e kryerjes së lejes së qëndrimit në BE me klubin e tij.
Biletat për ndeshjen Shqipëri-San Marino, që luhet nesër datë 6 tetor, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” mund ti gjeni online në ebileta.al ose në pikën e shitjes fizike në stadiumin “Air Albania”.
