Mijëra njerëz u mblodhën në Tarraco Arena të Tarragonës, në Spanjë, për të ndjekur edicionin e 30-të të garës së famshme të kullave njerëzore, një prej traditave më spektakolare të Katalonjës.

Eventi, i njohur si “Concurs de Castells”, mblodhi ekipet më të mira të këtij sporti tradicional, ku dhjetëra persona bashkohen për të ndërtuar kulla njerëzore që mund të arrijnë deri në disa kate lartësi.

Tarragona njihet si “Qyteti i Kullave Njerëzore”, ndërsa tradita e castells e ka origjinën në shekullin XVIII në zonën e Camp de Tarragona.

Kullat ndërtohen nga grupe të quajtura colles castelleres. Në bazë qëndrojnë dhjetëra persona, të cilët krijojnë strukturën mbështetëse të quajtur pinya, ndërsa në nivelet e sipërme ngjiten pjesëmarrësit më të lehtë.

 

Kjo traditë simbolizon punën në grup, solidaritetin, disiplinën dhe besimin mes pjesëmarrësve. Që prej vitit 2010, castells katalanase janë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.

Në edicionin e 30-të të garës, triumfi i takoi ekipit Castellers de Vilafranca, i cili siguroi vendin e parë me 14,635 pikë.

Ekipi realizoi gjithashtu një prej momenteve më të rëndësishme të ditës, duke ndërtuar me sukses një kullë të tipit “9 de 9 amb folre” – një strukturë me nëntë nivele.

Në vendin e dytë u rendit Colla Vella dels Xiquets de Valls, me 13,365 pikë, ndërsa Jove de Tarragona kompletoi podiumin.

Gara nuk mungoi në emocione dhe momente dramatike.

Colla Vella dels Xiquets de Valls provoi një kullë me dhjetë nivele, e cila arriti të ngrihej deri në majë, por u shemb gjatë fazës së çmontimit.

Edhe Vilafranca pati një moment të vështirë kur një prej kullave të saj u rrëzua pak para përfundimit.

Megjithatë, ekipi arriti të rikthehej dhe me performancën e fundit të siguronte fitoren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb