Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kompania e Ron Yeffet, ka përfituar rreth 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe prona shtetërore e private.
Duke folur për atë që e cilësoi si një “skemë mafioze” të mbështetur nga qeveria, Berisha tha se kompania e Yeffet ka përfituar miliona euro nga taksat e shqiptarëve dhe prona shtetërore, duke përfshirë edhe godinën ku ishte vendosur prej vitesh News24.
Sipas Berishës, përveç pronave shtetërore, grupi që ai akuzon ka marrë edhe prona private të qytetarëve në Zall-Herr.
“Në një skemë mafioze të ndërtuar nga Rama, të mbështetur prej tij me ligje e vendime, Yeffet, de facto kompanisë së tij, nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë i janë dhënë 45 mln euro, dhjetëra mln euro pronë shtetërore, përfshirë edhe pronat ku ishte vendosur prej vitesh News24”, deklaroi Berisha.
Ai vijoi me pretendimet për pronat në Zall-Herr, duke thënë se familjeve u janë marrë pasuritë e fituara me dokumentacion, me argumentin se ato i përkisnin shtetit.
“Përveç këtyre, ky grup mafiozësh shkon dhe plaçkit prona private të qytetarëve shqiptarë në Zall-Herr, të fituara me dokumentacion. Ua marrin familjeve pronat duke u thënë se janë të shtetit. Historia është shumë interesante dhe e turpshme”, u shpreh Berisha.
