Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë.
Gjatë fjalës së tij, Blushi e cilësoi konfliktin si të qëllimshëm dhe akuzoi institucionet se po qëndrojnë indiferente, ndërsa sipas tij anulimi i seancave po ndikon në proceset gjyqësore dhe në afatet e paraburgimit.
“Ju prisni ftesën nga dy aktorë të sistemit të Drejtësisë që e kanë dëshmuar që nuk janë gati të ulen për të zgjidhur këtë konflikt, apo do të ndërmerrni iniciativë konkrete për t’i dhënë zgjidhje?”, pyeti Blushi ministrin e Drejtësisë.
Ai ngriti akuza edhe për mënyrën e trajtimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në IEVP “Jordan Misja”, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tij dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Blushi tha se është penguar të takojë Metën, pavarësisht se, sipas tij, kishte leje nga SPAK-u.
“Përgjigjja që kam marrë nga drejtori i IEVP-së ‘Jordan Misja’ ka qenë që nuk lejohet të takohesh me Z. Meta, sepse kam marrë urdhër nga lart”, deklaroi ai.
Deputeti kërkoi gjithashtu që Metës t’i mundësohet komunikimi me gazetarët, duke iu referuar rekomandimeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për zhvillimin e intervistave përmes platformës Zoom.
Në përfundim, Blushi akuzoi institucionet përgjegjëse se po shkelin ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kërkoi ndërhyrje për zgjidhjen e situatës.
