Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar Prof. Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ai e cilësoi Shiroka-Pulën si një akademike të mirënjohur dhe i përcolli urimet më të përzemërta për detyrën e re.
Ish-presidenti Meta përgëzoi gjithashtu deputetët për atë që e cilësoi si “pjekuri dhe përgjegjshmëri të lartë politike” në kapërcimin e situatës së krijuar në vend.
Sipas tij, forcimi i institucioneve të Kosovës është në interes të qytetarëve, stabilitetit demokratik dhe të ardhmes europiane të vendit.
Ai theksoi se konsolidimi i demokracisë funksionale dhe avancimi i proceseve europianizuese duhet të jenë një përpjekje e përbashkët, me synim një Kosovë më demokratike dhe më të integruar në familjen europiane.
Reagimi:
Urimet më të përzemërta Prof. Justina Shiroka-Pula, akademikes së mirënjohur, për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentes së Kosovës.
Përgëzime të gjithë deputetëve që dëshmuan mbrëmë pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.
Forcimi i institucioneve të Kosovës është në dobi të qytetarëve, të stabilitetit demokratik dhe të së ardhmes europiane të vendit.
Konsolidimi i demokracisë funksionale dhe avancimi i proceseve europianizuese duhet të mbeten një përpjekje e përbashkët, në funksion të një Kosove më demokratike dhe më të integruar në familjen europiane.
