Forcimi i bashkëpunimit mes ekosistemeve të inovacionit të Italisë dhe Shqipërisë ishte në fokus të konferencës “Bashkëpunimi Itali–Shqipëri për Inovacionin”, e zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, investitorëve, sipërmarrësve dhe aktorëve të ekosistemit të startup-eve nga të dy vendet.
Aktiviteti u organizua nga Agjencia Italiane e Tregtisë, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Shqipëri dhe aktorët shqiptarë të ekosistemit të inovacionit, me synimin për të krijuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, financimit dhe sipërmarrjes.
Në fokus ishin mundësitë për partneritete, investime dhe financim të startup-eve, zhvillimi teknologjik dhe zgjerimi i sipërmarrjeve inovative. Nisma synon gjithashtu që Italia të shërbejë si një pikë lidhëse për startup-et shqiptare që synojnë të zhvillohen drejt tregjeve europiane.
Picariello: Synojmë partneritete të reja për zhvillimin e ekosistemit shqiptar Start-Up
Drejtori i Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë (ITA) Matteo Picariello, tha se Italia ka zgjedhur një qasje të re për bashkëpunimin me ekosistemin shqiptar të startup-eve. Sipas tij, synimi nuk është vetëm që Italia të ofrojë eksperiencën e saj, por edhe të përfitojë nga potenciali shqiptar për të zgjeruar bashkëpunimin në Ballkan.
“Ne donim të sillnim ekosistemin tonë për të zhvilluar partneritetin mes dy vendeve. Prandaj kemi sjellë këtu fonde të kapitalit sipërmarrës dhe shumë aktorë të tjerë të ekosistemit, me synimin për të krijuar partneritete të reja dhe për të ndihmuar në zhvillimin e ekosistemit shqiptar të startup-eve. Në të njëjtën kohë, duam të marrim ide dhe perspektiva të reja për mundësitë e rritjes në Ballkan. Shqipëria mund të shërbejë si një qendër edhe për vendet fqinje”, u shpreh ai.
Picariello vlerësoi potencialin e të rinjve shqiptarë dhe e lidhi zhvillimin e ekosistemit të startup-eve me nevojën për të krijuar më shumë mundësi për brezin e ri.
“Mendoj se ka shumë talent në Shqipëri dhe se vendi ka një problem të ngjashëm me Italinë. Edhe në Itali kemi shumë të rinj që largohen jashtë vendit në kërkim të mundësive më të mira. Prandaj, zhvillimi i një ekosistemi të qëndrueshëm të startup-eve është thelbësor për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë, për t’i mbajtur ata në vend dhe për të nxitur inovacionin. Kështu që shohim shumë potenciale të përbashkëta”, tha ai.
Një prej objektivave afatgjata të nismës, sipas Picariellos, është krijimi i një programi italo-shqiptar akselerimi ose inkubimi, përmes bashkëpunimit të partnerëve në të dy vendet.
“Qëllimi ynë afatgjatë është të ngremë një akselerator apo inkubator të plotë italo-shqiptar këtu. Shpresojmë të jemi në gjendje ta bashkëfinancojmë këtë program. Po diskutojmë me partnerin tonë, që është
“Innovation4Albania”, agjencia e ngritur nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Kemi edhe disa partnerë në Itali. Kështu që shpresojmë që brenda një viti të jemi në gjendje t’ju sjellim disa lajme të mira.”
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberti: Inovacioni nuk është luks, por mbijetesë
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti theksoi se inovacioni është i lidhur drejtpërdrejt me konkurrueshmërinë ekonomike. Sipas tij, nuk mund të ketë progres dhe prosperitet pa konkurrueshmëri, ndërsa konkurrueshmëria kërkon inovacion. Ambasadori italian vlerësoi gjithashtu rolin e startup-eve në shndërrimin e ideve në zgjidhje konkrete.
“Nuk ka progres, nuk ka prosperitet pa konkurrueshmëri. Por nuk ka konkurrueshmëri pa inovacion. Kjo është lidhja te e cila duhet të përqendrohemi, para së gjithash. Inovacioni është i nevojshëm, por nuk është i mjaftueshëm. Çështja sot është të jesh në gjendje të ndjekësh risitë. Dhe startup-et janë mjeti që i transformon idetë në zgjidhje të botës reale, shpejt. Shpejtësia është valuta e re sot. Është shumë e ndërlikuar të jesh konkurrues nëse nuk je inovator”.
Ai solli në vëmendje edhe nevojën që institucionet publike të jenë më të hapura ndaj mënyrave të reja të zgjidhjes së problemeve. Sipas tij, një prej përgjegjësive kryesore të qeverive është të krijojnë kushtet që një ekosistem i tillë të mund të zhvillohet.
“Startup-et janë automjeti për të krijuar praktikat e radhës dhe një qeveri duhet të ofrojë mbështetja për ekosistemin. Sepse është jashtëzakonisht e vështirë për një start up të lulëzojë i vetëm. Përgjegjësia dhe detyra që mund t’i vendosim vetes kur flasim për startup-et është ndihma në konsolidimin e një ekosistemi i cili është inovativ”.
Ministrja Ibrahimaj: Mund të ndërtojmë ura mes talenteve shqiptare dhe kapitalit italian
Në mbyllje të aktivitetit, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi vullnetin politik për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e inovacionit.
“Ne të gjithë dëshirojmë që ky bashkëpunim të jetë më i fortë në shumë drejtime. Dhe mendoj se në drejtimin e inovacionit, është detyra jonë të punojmë në mënyra inovative me qëllim që ky bashkëpunim të jetë më i fortë”, tha ajo.
Ibrahimaj vuri në dukje lidhjet e forta ekonomike dhe njerëzore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke argumentuar se këto marrëdhënie krijojnë një bazë të rëndësishme edhe për bashkëpunimin në inovacion. Sipas saj, bashkëpunimi mund të shkojë përtej investimeve tradicionale dhe të përfshijë universitetet, inkubatorët, akseleratorët, financimin, transferimin e njohurive dhe zhvillimin e talenteve.
“Ne kemi punuar shumë për të ndërtuar një ekosistem që është ende në zhvillim. Prandaj, mendoj se mund të bëjmë shumë së bashku përmes bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si financimi, shkëmbimi i njohurive dhe ekspertizës, universitetet, inkubatorët dhe programet e zhvillimit të startup-eve, por edhe në aspektin e mendësisë dhe qasjes ndaj inovacionit. Vullneti politik është aty, ashtu siç është edhe lidhja e fortë kulturore mes dy vendeve”, nënvizoi ndër të tjera ministrja Ibrahimaj.
Gjatë konferencës u zhvilluan edhe disa panale me diskutime mbi financimin e inovacionit, përvojën e ekosistemit italian, mundësitë e rritjes për startup-et dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Në aktivitet u prezantuan gjithashtu aktorë të ekosistemit italian, me synimin për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me sipërmarrësit dhe institucionet shqiptare.
Mesazhi që përcolli aktiviteti ishte se bashkëpunimi Itali–Shqipëri në inovacion synon të kalojë nga shkëmbimi i eksperiencave drejt partneriteteve konkrete, investimeve dhe krijimit të mundësive të reja për startup-et në të dy vendet.
