Ish-deputeti socialist Artan Gaçi mbërriti këtë të ënjte në prokurorinë e posaçme i shoqëruar nga avokati i tij.

Burime pranë SPAK konfirmuan se ish-ligjvënësi po hetohet për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe ky fakt, iu komunikua zyrtarisht në praninë e mbrojtësit të tij ligjor.

Teksa u larguan nga prokuroria, avokati Gurali Brahimllari deklaroi se klienti I tij, ishte thirrur në cilësinë e personit nën hetim. mbrojtësi nuk bëri komente të mëtejshme, përsa kohe theksoi se nuk është njohur me aktet e dosjes.

Hetimi për ish-deputetin dhe bashkëshorten e tij, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka nisi më shumë se një vit më parë nga prokurorët dhe në fokus janë kompanitë e Gacit. Më herët, Xhaçka është marrë në pyetje nga hetuesit e BKH-së, ndërsa janë siguruar të dhëna përmes letër-porosive të dërguara jashtë vendit.

Artan Gaçi gëzon statusin e investitorit strategjik nga qeveria dhe kompania e tij po ndërton një kompleks luksoz në zonën  e Dhërmiut, mbi një pronë e cila rezultoi e falsifikuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: