Ndërsa jashtë Kuvendit vijon protesta e qytetarëve kundër reformës territoriale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se reforma do të votohet në seancën e sotme.

Duke folur në Kuvend, Balla tha se reforma territoriale ka qenë pjesë e programit “Shqipëria 2030” dhe se PS ka marrë 83 mandate nga qytetarët për të çuar përpara këtë reformë.

“Ftesa ime për ju sot është që t’i përgjigjeni ofertës. Të enjten e javës së ardhshme, t’i bashkoheni komisionit për kompetencat. Keni një javë kohë. Kjo sot do të votohet”, deklaroi Balla.

Ai argumentoi se reforma është hartuar pas një pune njëvjeçare, gjatë së cilës, sipas tij, janë dëgjuar komunitetet dhe janë konsultuar bashkitë.

Balla u shpreh se ndryshimet synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe shtoi se qeveria është e gatshme t’u transferojë bashkive të reja kompetenca që aktualisht nuk i kanë.

“Dallimi mes nesh dhe juve është se ju interesoni për kreun e bashkisë, ne për qytetarët që të marrin shërbime më të mira. Jemi gati t’u transferojmë bashkive të reja kompetenca që sot nuk i kanë. Ju keni hall karrigesh, ne kemi hall shërbimesh”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.

Balla gjithashtu iu referua afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, duke theksuar se mandati i tij përfundon në fund të nëntorit dhe duke kërkuar që opozita t’i bashkohet punës për kompetencat e njësive të reja vendore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb