Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka folur mbi zhvillimet më të fundit politike dhe përplasjen e hapur mes mazhorancës dhe institucioneve të reja të drejtësisë.

Sipas Shehajt, vëmendja po tentohet të zhvendoset me “teatro parlamentare” dhe diskutime si reforma territoriale, ndërkohë që ngjarjet reale dhe përcaktuese për të ardhmen e vendit po zhvillohen në dyren e SPAK-ut dhe GJKKO-së.

“Në SPAK dhe GJKKO dalin përditë të pushtetshmit që mendonin se nuk do u ndodhte kurrë kjo. Ngjarjet kryesore po ndodhin atje dhe ndaj këta bëjnë këto teatro në Parlament. Ndërkohë që diskutohet reforma territoriale, kemi një luftë të hapur të drejtësisë me Edi Ramën,” deklaroi Shehaj.

Gjatë fjalës së tij, Agron Shehaj nxori në dritë një tjetër skandal të rëndë që lidhet me hetimet për dosjen e AKSHI-t, ku sipas tij janë kapërcyer të gjitha kufijtë e ligjit nga organet inteligjente.

“Një tjetër skandal që nuk është folur: Kryetarja e SHISH është arrestuar sepse po përgjonte prokurorët që po hetonin çështjen e AKSHI-t. Janë përgjuar prokurorët dhe familjarët e prokurorëve! SPAK ka treguar me Belinda Ballukun që nuk është intimiduar; e ka marrë në hetim, e shpalli të pandehur, kërkoi shkarkimin nga detyra, kërkoi arrestimin e saj dhe i ka ngritur disa akuza,” zbuloi kreu i Partisë “Mundësia”.

Shehaj u ndal edhe te pozicioni i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke denoncuar se ajo vazhdon të ushtrojë ndikim të plotë në institucione, ndërsa dëshmitarët e SPAK po përballen me kërcënime direkte.

“Belinda Balluku vijon të jetë de facto në detyrë si zv/kryeministre. Në investigime del se kush punon në ato institucione e quan akoma ‘shefja’. Një anëtare e komisionit të vlerësimit të ofertave tha se ishte detyruar të firmoste, ndërsa dje dëgjuam dëshminë e babait të saj që tha se vajza është kërcënuar pasi ka dhënë dëshmi në SPAK për atë që ka ndodhur,” theksoi ai.

Shehaj vuri në dukje se reagimi qytetar në bulevard ka kapërcyer kornizat e partive politike tradicionalisht opozitare, duke u kthyer në një qëndresë të përditshme popullore.

“Sot që flasim, protestat e partive politike janë të papërfillshme. Në 130 ditët e fundit ka pasur 130 protesta masive të qytetarëve çdo ditë në bulevard. Fati i Shqipërisë varet nga puna e institucioneve të drejtësisë. Nëse nga kjo përplasje mes PS-së dhe drejtësisë fiton PS dhe Edi Rama, i bie që shpresa për të jetuar në një vend ku ka drejtësi dhe nuk ka të paprekshëm merr fund,” përfundoi Agron Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb