Thonë se pena plagos më shumë se shpata. Për këtë mund të flasë nga përvoja Fred Vasër, shefi i skuadrës së Ferrarit. Në një intervistë për “Canal+” pas Çmimit të Madh të Malajzisë, Vasër iu rikthye kritikave ndaj skuadrës së kuqe.
“Unë nuk kam ‘Instagram’, nuk kam ‘X’ dhe nuk lexoj shtypin. Përpiqem të izolohem nga e gjithë kjo”, tha Vasër. Sipas drejtuesit francez, problemi kryesor nga këto sulme është për grupin e skuadrës: “1.500 njerëzit që punojnë me mua dhe që, kur ka diçka negative për mua, për skuadrën apo për gjithçka tjetër, e ndiejnë menjëherë pasojën mëngjesin tjetër. Dhe mendoj se kjo i dëmton jashtëzakonisht shumë rezultatet e skuadrës”.
Me pak fjalë, sipas drejtuesit të Maranelos, kritikat ndaj tij dhe Ferrarit shpesh janë të tepruara. Pas deklaratave të ish-shefit të Red Bullit, Kritstian Horner, dhe zërave për një largim të mundshëm të Vasërit nga Ferrari, Maranelo u rreshtua menjëherë në mbështetje të njeriut të francezit. Vasër u mbrojt fillimisht përmes një komunikate zyrtare të skuadrës dhe më pas edhe nga administratori i deleguar, Benedeto Vinja. Ishte një mënyrë e qartë për të bërë front të përbashkët rreth shefit të skuadrës përpara garës në Sepang.
KRITIKAT NË RRJETET SOCIALE – Dhe më pas? Fillimi i Çmimit të Madh nuk ishte ndër më të mirët për Ferrarin, veçanërisht për Vasërin. Vendimi për të përdorur gomat për pistë të thatë në një cirkuit të mbuluar nga reshjet e dendura të shiut aziatik shkaktoi kritika nga shumë drejtime, sidomos në rrjetet sociale dhe jo vetëm nga mediat. Megjithatë, kjo strategji, duhet thënë, i mundësoi Luis Hamiltonit të arrinte vendin e tretë. Një podium i rëndësishëm dhe spektakolar për britanikun. Polemikat, megjithatë, nuk u shuan.
Në intervistën për “Canal+”, Vasër foli edhe në mënyrë më të përgjithshme për përvojën e tij në Maranelo: “Të shkosh te Ferrari nuk është Graali i Shenjtë, Graali i Shenjtë është të fitosh me Ferrarin. Nuk ndihem aspak sikur kam mbërritur në destinacion. Te Ferrari është bukur, por është edhe më bukur kur fiton. Pastaj ekziston një ndryshim mes asaj që mund të lexosh në shtyp, në blogje apo gjetkë dhe qëndrimit të njerëzve, i cili është gjithmonë jashtëzakonisht pozitiv”.
PRESIONI – Sipas Vasër, edhe mënyra se si pasqyrohet situata në media mund të ndikojë te rezultatet e skuadrës. Në Sepang, vetë ai kërkoi që të ulej “volumi” i zërave dhe spekulimeve: “Duhet t’u japim fund zërave, thashethemeve dhe interpretimeve dashakeqe, sepse ato nuk e ndihmojnë skuadrën”, ndërsa më tej shtoi: “Nuk bëhet fjalë për Sahrlin dhe Ljuisin që më mbrojnë mua, apo për mua që i mbroj ata. Ne punojmë si një skuadër e fortë, në momentet pozitive, në ato negative dhe madje edhe në situatat më të komplikuara e delikate”.
Presioni në Formula 1 është i madh dhe nuk është i lehtë për t’u përballuar. Nga ana tjetër, Ferrari është një prej markave më të mëdha dhe më të rëndësishme në botën e automobilizmit. Vasseur, sërish në intervistën për kanalin francez, kujtoi edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve të Ferrarit: “Te Ferrari ka shumë tifozë. Kemi qindra njerëz përpara fabrikës kur fitojmë, por ata janë aty edhe kur humbasim. Nuk është presion, por një vlerë e shtuar”.
