Shqipëria e mbylli aventurën e saj në këtë seri të Ligës së Kombeve me një bilanc pozitiv. Kuqezinjtë luajtën katër ndeshje, duke regjistruar tri fi tore dhe vetëm një humbje. Dy sukseset erdhën përballë San Marinos, ndërsa Shqipëria triumfoi edhe ndaj Bjellorusisë. Humbja e vetme ishte ajo kundër Finlandës. Përtej rezultateve, këto katër sfi da i shërbyen trajnerit Rolando Maran edhe për të njohur më mirë grupin që ka në dispozicion. Tekniku italian grumbulloi një numër të konsiderueshëm futbollistësh dhe gjatë katër ndeshjeve provoi alternativa të ndryshme, por statistikat e minutave tregojnë se tashmë ka nisur të krijohet edhe një hierarki e qartë. Disa lojtarë u kthyen në titullarë të padiskutueshëm, disa të tjerë morën një rol dytësor, ndërsa pati edhe nga ata që, pavarësisht grumbullimit, nuk patën mundësi të zbrisnin asnjë minutë në fushë.

TË BESUARIT E MARANIT- Nëse ka një lojtar që mund të quhet i pazëvendësueshëm në këtë seri ndeshjesh, ai është Ardian Ismajli. Mbrojtësi ishte titullar në të katërta takimet dhe luajti të gjitha 360 minutat e mundshme. Maran nuk e hoqi asnjëherë nga fusha, duke i dhënë një rol të qartë lideri në prapavijë. Pas tij vjen Kristjan Asllani. Mesfushori është aktivizuar në të katërta ndeshjet si titullar dhe ka grumbulluar 343 minuta. Përveç pranisë së vazhdueshme në formacion, Asllani ka dhënë edhe një kontribut të rëndësishëm në sulm, duke shënuar tri gola, më shumë se çdo lojtar tjetër i listës. Një tjetër emër i rëndësishëm është Berat Gjimshiti. Kapiteni i prapavijës ka luajtur të katërta ndeshjet nga minuta e parë dhe ka regjistruar 315 minuta. Pra, në zemër të mbrojtjes, Maran duket se ka krijuar një bosht të qartë me Ismajlin dhe Gjimshitin. Në repartin ofensiv, Rei Manaj është një nga lojtarët që ka marrë më shumë besim. Sulmuesi ka qenë titullar në të katërta ndeshjet dhe ka luajtur 275 minuta, ndërsa ka shënuar edhe dy gola.

Edhe Elseid Hysaj ka pasur një rol të rëndësishëm. Mbrojtësi i djathtë është aktivizuar në katër ndeshje, tri prej tyre si titullar, duke regjistruar 270 minuta. Në krahun tjetër të mbrojtjes, Mario Mitaj ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm. Ai ka nisur nga minuta e parë në të katërta takimet dhe ka luajtur 254 minuta. Stavro Pilo ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm, me 257 minuta në katër ndeshje, tri prej tyre si titullar. Në mesfushë dhe sulm, Ernest Muçi ka qenë një tjetër lojtar i besuar nga Maran. Ai ka qenë titullar në të katërta ndeshjet dhe ka regjistruar 250 minuta, ndërsa ka gjetur edhe një herë rrugën e rrjetës.

PROVAT E MARAN- Jo të gjithë lojtarët patën të njëjtën hapësirë. Disa prej tyre u aktivizuan, por vetëm për pak minuta, duke mbetur ende larg titullarëve të konsoliduar. Një nga rastet më të qarta është Luis Hasa. Mesfushori u aktivizua në një ndeshje dhe pati vetëm 10 minuta në dispozicion për të treguar vlerat e tij. Edhe Klevi Qefalija mori një mundësi të shkurtër, me vetëm 16 minuta në total. Kristian Shpendi është një tjetër lojtar që ende nuk ka arritur të fi tojë një rol të madh. Sulmuesi u aktivizua në katër ndeshje, por vetëm një herë e nisi takimin si titullar. Në total, ai regjistroi vetëm 24 minuta. Për një sulmues, një shifër e tillë është shumë e vogël për të dhënë një gjykim përfundimtar. Shpendi mbetet në pritje të një mundësie më të madhe për të treguar nëse mund të bëhet një alternativë reale për repartin ofensiv. Mirlind Daku ka pasur më shumë hapësirë, por edhe ai është larg numrave të lojtarëve kryesorë. Ai u aktivizua në të katërta ndeshjet dhe ishte titullar në tri prej tyre, por gjithsej luajti vetëm 80 minuta. Në portë, situata ka qenë e ndarë mes disa emrave. Mario Dajsinani luajti 90 minuta, ndërsa Alen Sherri regjistroi 155 minuta në dy ndeshje si titullar. Etrit Berisha, nga ana tjetër, luajti 112 minuta. Në mbrojtje, Marash Kumbulla pati vetëm 45 minuta, ndërsa Samuele Sina luajti 90 minuta. Për këta futbollistë, katër ndeshjet e Ligës së Kombeve nuk kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar një pozicion të fortë në hierarki, por gara mbetet e hapur. Taulant Seferi nuk mori shumë hapësirë, duke regjistruar 61 minuta.

TË ZHGËNJYERIT- Nëse disa lojtarë mund të ankohen për numrin e vogël të minutave, ka edhe nga ata që e kanë mbyllur këtë seri ndeshjesh pa zbritur fare në fushë. Simon Simoni ishte pjesë e grumbullimit, por nuk u aktivizua. I njëjti fat ishte edhe për portierin e ri Alain Taho, i cili ishte në listë, por nuk mori asnjë minutë. Në mbrojtje, Klisman Cake dhe Naser Aliji janë dy emra të tjerë që nuk patën mundësi të luanin. Të dy ishin pjesë e skuadrës gjatë kësaj periudhe, por statistikat e tyre mbeten në zero minuta. Edhe Feta Fetai është në të njëjtën situatë. Mesfushori ishte pjesë e grupit, por nuk u aktivizua në asnjë prej ndeshjeve. Për këta futbollistë, situata është padyshim më e vështira. Të jesh pjesë e një grumbullimi të Kombëtares do të thotë të jesh pranë ekipit, por njëkohësisht konkurrenca është e fortë dhe minutat janë ato që përcaktojnë se sa afër je me formacionin. Në këtë listë nuk përfshihet Sabah Kerjota, pasi ai nuk ka qenë fare pjesë e skuadrës në këtë seri. Pra, ndryshe nga lojtarët e mësipërm, ai nuk mund të konsiderohet si një prej atyre që kanë mbetur në stol pa u aktivizuar, duke qenë ndoshta rasti më i pakuptimtë në Kombëtare duke qenë se Maran e mori nga kampionatin skocez dhe nuk e mbajti as në stol, të paktën për një ndeshje.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb