Partizani-Vllaznia do të jetë padyshim përballja kryesore e javës së 12 në “Abissnet Superiore”. Rikthimi I kampionatit pas pauzës për shkak të kombëtareve, do të sjellë një superpërballje, pavarësisht pozicionit në renditje të dy skuadrave.
Partizani dhe Vllaznia nuk janë aty ku duhet e janë të etura për pike, ndërsa fakti që kjo sfidë do të zhvillohet në impiantin më të mire në vendin tone në “Air Albania” I jep Akoma më shumë hijeshi një sfide si kjo.
Për Partizanin nuk lejohen më hapa fals. Dy fitoret e fundit ndaj Teutës dhe Laçit ndezin shpresën dhe zgjojnë besimin tek të kuqtë, për të shpëtuar sezonin, që deri tani nuk ka folur për të kuqtë.
Për situatën që kryeqytetasit po kalojnë aktualisht foli në konferencë për shtyp edhe tekniku Karoglan:
“Sukseset ndaj Teutës dhe Laçit kanë qenë shumë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë ne vazhdojmë të gjendemi në të njëjtat pozita në vendin e fundit. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të largohemi sa më shpejt nga ky pozicion dhe gjithmonë ndeshja e radhës mbetet më e rëndësishmja”.
Tekniku i të kuqve theksoi se ndaj Vllaznisë me gjithë respektin për ekipin Shkodran, skuadra e tij do duhet të luajë vetëm për fitore:
“Vllaznia është një skuadër shumë e mirë, mjaft agresive. Ata vijnë pasi kanë fituar ndaj Dinamos , Tiranës, Elbasanit. E kam thënë që në këtë kampionat nuk ndeshje të lehta. E kemi analizuar mjaft mirë kanë ndryshuar me ardhjen e trajnerit të ri , por mendoj se jemi gati. Kemi punuar mjaft mirë përgjatë këtyre 10 ditëve dhe tashmë të shohim përpara se ku jemi”.
Për sfidën ndaj shkodranëve Partizanit do ti rikthehen dy lojtarë të rëndësishëm. Altin Aliu dhe Seku Sidibe janë dy “përforcimet” që trajneri pritet të ketë në dispozicion për këtë përballje. Të dy futbollistët janë bashkuar prej disa ditësh me skuadrën dhe tashmë janë në gjendje të jenë pjesë e grupit për ndeshjen ndaj shkodranëve.
