Deputeti i PS, Erion Braçe refuzoi të largohej nga foltorja e Kuvendit gjatë diskutimeve për Reformën Territoriale, duke vijuar fjalën e tij për disa minuta me mikrofonin e mbyllur.

Gjatë fjalës së tij ai ngriti pyetjen nëse qeveria është gati të delegojë pushtet real tek pushteti vendor, duke theksuar se nëse nuk bëhet kjo, nuk është bërë asgjë.

Mes ndërhyrjeve të vazhdueshme të drejtueses së seancës, Evis Kushi, Braçe vijoi deklaratën e tij duke shtuar se problemi nuk janë letrat, por janë njerëzit dhe se një hartë e re nuk e bën vendin automatikisht pjesë të fondeve të kohezionit social të Bashkimit Evropian.

Diskutimi i plotë:

Braçe: Pavarësisht se si mund të mendojë thuajse e gjithë qeveria, është… a është gati qeveria të delegojë pushtet real tek pushteti vendor? A është gati qeveria të delegojë kompetenca, funksione, buxhete, tatime, taksa, të ardhura, prona, që i bëjnë ato e që i shkojnë në fakt atij komuniteti atje, atij pushteti që është afër qytetarit? Në qoftë se s’bëjmë këtë, keq më vjen por nuk…

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Po, faleminderit zoti Braçe.

Braçe: Në qoftë se s’bëjmë këtë, keq më vjen por nuk kemi bërë gjë. Dhe mund të mblidhemi të gjithë këtu e t’i japim këtij emrin e saj, hartës, si të doni.

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Zoti Braçe, faleminderit! Ju lutem…

Braçe: Por kjo…

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Fjala është për zotin Arjan Ndoja.

Braçe: Por kjo nuk është e tillë! Bëhet e tillë në qoftë se njerëzit e besojnë si të tillë. Mund ta bëjmë me vete atë, por duhet ta besojnë njerëzit këtë! Sepse problemi ynë janë njerëzit! Problemi ynë… problemi ynë nuk janë letrat, janë njerëzit!

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Zoti Braçe, ju lutem! Fjalën ia kam dhënë zotit Arjan Ndoja.

Braçe: E fundit gjë… e fundit gjë se nuk do të jetë më pak… E fundit gjë që dua… e fundit gjë që dua të them: E dëgjova me shumë vëmendje argumentin që e gjitha po bëhet për fondet e kohezionit dhe të zhvillimit rajonal të Bashkimit Evropian. Në rregull, po e mendon kush atë që thotë dhe e beson kush atë që thotë? Po si… si mendoni ju që një hartë na bën pjesë automatike të fondeve të kohezionit social të Bashkimit Evropian? Po jo! Unë mendoj që ka kushte, ka me qenë… ka infrastrukturë që duhet të ndërtohet…

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Zoti Braçe, ju lutem! Tërheq vëmendjen të lironi foltoren.

Braçe: Dhe vetëm kjo hartë nuk e jep këtë gjë, vetëm kjo hartë nuk e garanton sot, nuk e garanton këtë gjë! Dhe është thelbësore për të kuptuar që gjërat duhet t’i bëjmë vërtet!

Ndërhyn drejtuesja e seancës: Zoti Braçe, po pengoni zhvillimin e seancës! Ju lutem lironi foltoren. Sigurisht që jo… jo… Lironi foltoren…

Braçe: Pra, vetëm kaq nuk mjafton! Do të kisha dashur që një shtet i tërë, një qeveri e tërë, unë besoj se e kishte gjithë mundësinë të kishte sjellë këtu hartën dhe të gjitha kompetencat që i çojnë pushtetit real te qytetari. Të gjitha, pa përjashtim! Dhe që t’i bëjnë ata realisht të ndihen pjesë e një pushteti, ta kenë dhe ata në dorë pushtetin në kufi! Faleminderit!“

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb