Një aksident tragjik në Bursa të Turqisë i ka marrë jetën aktorit 52-vjeçar Ali Bilensir, pasi motoçikleta që ai drejtonte me djalin e tij 13-vjeçar u përplas me një makinë brenda një tuneli. I mituri mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spital, ndërsa bashkëshortja e aktorit, e cila po udhëtonte pas tyre me një motoçikletë tjetër, ishte dëshmitare e momentit tragjik.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat turke, kanë regjistruar momentin e përplasjes. Në video shihet automjeti që lëviz në sens të kundërt brenda tunelit dhe më pas përplaset me motoçikletën ku udhëtonin babai dhe djali i tij.

Ngjarja u bë edhe më e rëndë për familjen, pasi Figen Bilensir, bashkëshortja e aktorit, po i ndiqte me motoçikletën e saj. Ajo pa nga afër përplasjen, ku bashkëshorti humbi jetën dhe djali i tyre u plagos rëndë. Sipas raportimeve të mediave turke, gruaja pësoi një krizë nervore pas asaj që përjetoi. Drejtuesi i automjetit, i identifikuar me inicialet Bilal Ç., u shoqërua pas aksidentit. Pasi mori trajtim në spital, ai u dërgua në burg, por më vonë u lirua në pritje të gjykimit. Rrethanat e aksidentit janë bërë objekt raportimi në mediat turke, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë lëvizjen e makinës në drejtim të kundërt dhe përplasjen fatale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: