Eksperti i reformës territoriale Agron Haxhimali, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, ka folur për raportin e monitorimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale për Shqipërinë, të publikuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Haxhimali tha se raporti evidenton tetë shqetësime, ku përfshihen mungesa e decentralizimit, ndërhyrjet në autonominë vendore, mungesa e një ndarjeje të qartë të përgjegjësive, si dhe pamjaftueshmëria e funksioneve dhe mjeteve për pushtetin lokal.
Një pjesë e rëndësishme e raportit, sipas ekspertit, i kushtohet edhe diskutimeve për reformën territoriale. Ai theksoi se për Kongresin ka rëndësi zbatimi i nenit 5 të Kartës, i cili përcakton se ndryshimet në kufijtë e njësive të qeverisjes vendore duhet të bëhen duke u konsultuar paraprakisht me komunitetet e prekura, mundësisht përmes referendumit, kur kjo lejohet nga ligji. Duke komentuar çështjen e referendumeve në Shqipëri, Haxhimali u shpreh se proceset e tilla janë të vështira dhe kërkojnë shumë kohë për t’u realizuar.
“Lajmi i fundit vjen nga Kongresi i Autoriteteve lokale dhe rajonale, ku zoti Gjoni e la sentencën e fjalës së tij. Dje Kongresi ka nxjerrë raportin e monitorimit të kartës për Shqipërinë dhe ka identifikuar 8 shqetësime; mungesa e decentrazimilit ndërhyrja, mospasja e një vije të qartë, mospasja e funksioneve, dhe mjeteve. Një pikë e rëndësishme, raporti i ka kushtuar diskutimeve për reformën territoriale. Për kongresin ka rëndësi zbatimi i nenit 5, ku përcaktohet ndryshimi i kufijve miratohet vetëm nga qytetarët. Shtetet dhe vendet që s’e kanë referendumin si pjesë të sistemit dhe ne na duhen nga 100 vjet për të bërë referendum!”, tha ai.
