Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, me moderatoren Megi Latifi, komentoi miratimin në Kuvend të reformës së re territoriale, e cila u votua me 85 vota pro nga mazhoranca. Korreshi e cilësoi votimin si “vdekje të demokracisë”, duke akuzuar deputetët që mbështetën nismën se nuk morën parasysh zërin e qytetarëve, veçanërisht të banorëve të qarkut të Fierit, Divjakës, Patosit dhe 13 bashkive të tjera që preken nga reforma.
Sipas tij, banorët e Divjakës kanë protestuar prej 70-80 ditësh kundër ndryshimeve, ndërsa edhe këshillat bashkiakë kishin votuar kundër shkrirjes së bashkive. Deputeti demokrat tha se protesta e së enjtes duhej të kishte pasur pjesëmarrje më të madhe, pasi, sipas tij, një reagim më i gjerë i qytetarëve mund të kishte sjellë më shumë presion ndaj vendimmarrjes politike. Ai pretendoi se disa banorë kishin hezituar të merrnin pjesë për shkak të frikës nga presioni i qeverisë dhe i administratës tatimore.
Korreshi ngriti gjithashtu akuza ndaj Policisë, duke pretenduar se gjatë protestave janë ushtruar veprime të rënda ndaj qytetarëve. Ai tha se kishte bërë një denoncim për sjelljen e një efektivi, të cilin e akuzoi për fyerje dhe veprime të papërshtatshme ndaj protestuesve.
“Ajo që nuk u pa dhe nuk u dëgjua ishte zëri i qytetarëve, i qarkut të Fierit, Divjakës dhe Patosit dhe 13 bashkive të tjera. Ajo natë ishte vdekja e demokracisë. Persona që ngrenë kartonat në dëm të interesit të qytetarëve. Divjaka prej 70-80 ditësh bërtiti fort dhe kërkonte të drejtën e saj. Nuk mund të veprojnë dhe të mandatojnë vullnetin e 15 bashkive ata 85 deputetë, pasi edhe këshillat bashkiakë kishin miratuar unanimisht mosshkrirjen e bashkive. Kishin votuar kundër kësaj nisme ligjore. Demokracia është përfaqësimi i zërit të qytetarëve.
Unë dje në mëngjes u ndjeva keq, pasi kam qindra SMS nga banorët e këtyre zonave. Shikoja trishtimin që u mblodh, pasi duan ta kthejnë Divjakën në kooperativë bujqësore, pasi ishte një qytet që merrej me bujqësi dhe turizëm. Nëse të enjten do të kishte më shumë prani të qytetarëve në protestë, pasi duhej të ishim më shumë, do të kishte reagim më të madh. Ata kanë pasur frikë nga presioni qeverisës, frikë nga taksidarët. Këtu i lë të vjedhin dhe, kur i bie bilbilit ai i madhi, bëhet nami. Këta marrin njerëz dhe i tredhin. Nuk ka frikë njeri nga policët. Unë bëra denoncim se një polic shante me libër shtëpie dhe kryente veprime shtazore ndaj qytetarëve. Nuk duhet të vish pa simbole të Policisë, se unë mund të godas në atë moment. Policia ka ushtruar dhe kryer veprime kriminale.”, tha ai.
