Pamje të reja nga përmbytjet masive në Nepal tregojnë përmasat e shkatërrimit të shkaktuar nga dalja e lumit Budhi Gandaki nga shtrati. Ujërat e rrëmbyeshme përfshinë zona të banuara në veri të vendit, duke marrë me vete shtëpi, ura dhe infrastruktura të tjera jetike. Të paktën pesë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa qindra banorë janë detyruar të braktisin banesat e tyre dhe të kërkojnë strehim në zona më të sigurta. Sipas autoriteteve lokale, rreth 50 persona u shpëtuan përgjatë brigjeve të lumit, i cili përshkon provincën e Gorkhas. Deri më tani nuk janë raportuar viktima nga kjo fatkeqësi, ndërsa ushtria nepaleze bëri të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë të hënën në mëngjes.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në infrastrukturën energjetike dhe të komunikimit, duke prekur një pjesë të një hidrocentrali dhe disa kulla telekomunikacioni. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që jetojnë përgjatë lumit të qëndrojnë në gatishmëri deri në një njoftim të mëtejshëm. Sipas raportimeve paraprake, katastrofa nisi pas një rrëshqitjeje dheu pranë fshatit Tsumtsure, e cila bllokoi përkohësisht rrjedhën e lumit dhe krijoi një digë natyrore. Kur kjo digë u shemb, masat e mëdha të ujit vërshuan me shpejtësi drejt zonave më të ulëta, duke përfshirë vendbanimet përgjatë luginës.
Pamjet e publikuara tregojnë ujërat që zbresin me forcë nëpër luginë dhe përfshijnë një kompleks të tërë ndërtesash. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar plotësisht numri i fshatrave të prekura nga përmbytjet. Një nga detajet që ka dalë në pah pas katastrofës është vonesa e autoriteteve në paralajmërimin e banorëve. Sipas gazetës The Kathmandu Post, shumë prej tyre arritën të largoheshin nga banesat rreth një orë përpara se të mbërrinin njoftimet zyrtare, pasi ishin informuar nga bashkëfshatarët për rrezikun.
Suna Gurung tregoi se u zgjua në orën 04:45 të së dielës, pasi mori një telefonatë nga një banor i një fshati fqinj, i cili e paralajmëroi se lumi kishte dalë nga shtrati. “Brenda dhjetë minutash, lumi doli nga shtrati. Ne menjëherë dhamë alarmin, i zgjuam të gjithë dhe vrapuam drejt pyllit”, rrëfeu ajo për gazetën lokale. Gurung tha se kur mori mesazhin zyrtar në telefon, ku banorëve u kërkohej të qëndronin në një vend të sigurt, ajo dhe të tjerët kishin më shumë se një orë që ishin larguar në pyll. Autoritetet nepaleze kanë pranuar vonesat në dërgimin e paralajmërimeve. Sipas të dhënave të raportuara, banorët në zonat më të larta i morën njoftimet pothuajse dy orë pas nisjes së përmbytjeve, ndërsa ata në zonat më të ulëta u paralajmëruan deri në pesë orë më vonë. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për efektivitetin e sistemit të paralajmërimit të hershëm në Nepal, ku komunitetet rurale shpesh mbështeten te komunikimi mes banorëve dhe rrjetet sociale për t’u informuar për rreziqet natyrore.
A short while ago: A devastating flash flood has swept away Salleri Bazaar (Market) and caused severe destruction in Jagat Bazaar along the Budhi Gandaki River, Gorkha District, Nepal.
(Video provided by Umesh.) https://t.co/aK74PD0S5t
— Weather Monitor (@WeatherMonitors) October 11, 2026
Përmbytjet e fundit godasin një vend që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga fatkeqësitë e rënda natyrore të muajve të fundit. Sipas të dhënave të raportuara, përmbytjet e gushtit përgjatë kufirit me Kinën shkaktuan më shumë se 1,400 viktima dhe lanë mijëra persona të zhdukur. Ndërkohë, qeveria ka njoftuar se pas përfundimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit, vëmendja do të përqendrohet te rehabilitimi i zonave të dëmtuara, përfshirë riparimin e rrugëve dhe urave, veçanërisht në rajonet e largëta ku shkatërrimi i infrastrukturës ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Sipas vlerësimeve të raportuara, kostoja e rindërtimit pas përmbytjeve arrin në rreth 4.26 miliardë euro. Pothuajse 33 mijë persona janë prekur, ndërsa rreth 7,500 banesa janë dëmtuar ose shkatërruar. Lumi Budhi Gandaki është një degë e lumit Trishuli, një rrugë ujore e rëndësishme për rajonin e kryeqytetit Katmandu. Përmasat e dëmeve dhe zhdukja e personave kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e komuniteteve që jetojnë pranë lumenjve, veçanërisht në zonat malore, ku rrëshqitjet e dheut dhe reshjet e dendura mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme.
Flash floods along Nepal’s Budhi Gandaki River swept away homes and bridges, forcing residents to flee to higher ground.
Five people are missing, and six have been rescued, authorities said. https://t.co/wv7zilln7C
— Al Jazeera English (@AJEnglish) October 12, 2026
