Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Ukrainën se mund të ndërpresë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe të pezullojë furnizimin me armë, nëse Kievi vijon sulmet ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike ruse. Lajmi raportohet nga CNN, duke iu referuar zyrtarëve evropianë të njohur me çështjen.

Sipas raportimit, paralajmërimet nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni iu përcollën gjatë fundjavës zyrtarëve ukrainas dhe evropianë. Po ashtu, ushtria amerikane ka komunikuar drejtpërdrejt me komandantët ukrainas lidhur me këtë çështje. Dy zyrtarë evropianë i thanë CNN se Uashingtoni ka lënë të kuptohet se mund të ndalojë jo vetëm ndarjen e informacioneve të inteligjencës me forcat ukrainase, por edhe blerjet e armëve nga vendet evropiane për t’i furnizuar ato me pajisje ushtarake.

Një prej zyrtarëve e cilësoi kërcënimin amerikan si një zhvillim shqetësues për Kievin dhe aleatët e tij, duke theksuar se të dyja format e mbështetjes janë jetike për mbrojtjen e Ukrainës. Një ndërprerje e mundshme e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës do të ndikonte drejtpërdrejt në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Informacionet e ofruara nga SHBA-ja ndihmojnë forcat ukrainase të identifikojnë vendndodhjet e lëshuesve të raketave dhe të marrin të dhëna për objektivat dhe kohën e sulmeve.

Edhe pezullimi i furnizimit me armë përmes mekanizmit PURL, i njohur si Lista e Kërkesave të Prioritetshme të Ukrainës, mund të shkaktojë pasoja të rënda për furnizimin e Kievit me pajisje ushtarake, veçanërisht me raketa interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. Prej javësh, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar publikisht për mungesën e raketave Patriot në arsenalin e vendit dhe ka kërkuar më shumë mbështetje për forcimin e mbrojtjes ajrore.

Një pezullim i mundshëm i furnizimeve do ta vështirësonte më tej përpjekjen e Ukrainës për të përballuar sulmet me raketa balistike dhe për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike. Deri më tani, paralajmërimet e raportuara nga mediat ndërkombëtare lidhen me mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes amerikane nëse Kievi nuk ndalon sulmet ndaj objekteve energjetike ruse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: