Pas miratimit me 85 vota pro të ndarjes së re administrativo-territoriale, e cila parashikon organizimin e vendit në 46 bashki, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për të udhëhequr fazën e dytë të kësaj reforme. Kërkesa e mazhorancës vjen pas votimit dhe debateve të fortë në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës për riorganizimin e pushtetit vendor dhe shkrirjen e 15 bashkive.

Në njoftimin zyrtar, socialistët argumentojnë se harta e re territoriale përbën vetëm hapat e parë të reformës dhe se zbatimi i saj duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me ndryshime të tjera ligjore dhe institucionale. Për këtë arsye, faza e dytë e reformës do të përqendrohet drejtpërdrejt te funksionet dhe shërbimet vendore, financat e pushtetit lokal si dhe riorganizimi në nivel rajonal.

Sipas kërkesës së paraqitur në parlament, Komisioni i Posaçëm propozohet të përbëhet nga 16 anëtarë dhe të ketë një mandat fillestar nëntëmujor, me të drejtë zgjatjeje me vendim të Kuvendit. Për të mbështetur punën e këtij strukture, parashikohet ngritja e një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe funksionimi i një sekretariati teknik.

Njoftimi:

Me vendimin nr. 75/2025, Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me mandat nëntëmujor. Komisioni e përfundoi punën e tij me Raportin Përfundimtar, të paraqitur në Kuvend më 15.07.2026, i cili vendosi metodologjinë e vlerësimit me pesë kritere dhe hartoi gjetjet dhe skenarët e riorganizimit territorial. Mbi bazën e Raportit dhe të një procesi të gjerë konsultimi me bashkitë, këshillat bashkiakë dhe qytetarët, Kuvendi miratoi në tetor 2026 ligjin nr. 100/2026 për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili organizon vendin në 46 bashki, me qytetet përbërëse dhe njësitë administrative.

Harta e re është shtylla e parë e reformës. Tri shtyllat e tjera, funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe niveli rajonal, kërkojnë ligje më vete, që duhet të hartohen brenda vitit të ardhshëm nga Kuvendi, Qeveria dhe bashkitë.

Plotësimi i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” me statusin e qytetit, nënkryetarin e qytetit, përfaqësimin dhe organizimin e brendshëm bashki–qytet–njësi administrative; standardet minimale të shërbimeve dhe burimi i financimit për çdo funksion; formula e re e transfertës së pakushtëzuar mbi të dhënat e Censit 2023 dhe ndryshimet në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”; dhe një nivel rajonal funksional, mbi strukturën ekzistuese të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Logjika e reformës është e qartë: nuk mund t’u shtohen kompetenca bashkive që sot nuk i kryejnë dot as ato që kanë; bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër.

Këto ligje duhet të jenë gati në kohë për fillimin e funksionimit të bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Faza e dytë duhet të ndjekë metodën që e provoi veten në fazën e parë: punë e bazuar në të dhëna, konsultim i gjerë dhe synim konsensusi mes forcave parlamentare, nën drejtimin e Kuvendit dhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Për këto arsye, në bazë të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, ne, deputetët e Kuvendit, kërkojmë:

1. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, me objekt reformën administrative të qeverisjes vendore: funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe nivelin rajonal.

2. Komisioni i Posaçëm të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:

a) shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të vetëqeverisjes vendore, në vijim të ndarjes së re administrativo-territoriale;

b) analizën e funksioneve, kompetencave dhe shërbimeve publike vendore dhe propozimet për thellimin e decentralizimit;

c) analizën e sistemit të financave vendore dhe propozimet për forcimin e decentralizimit fiskal dhe të qëndrueshmërisë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore;

ç) analizën dhe propozimet për nivelin rajonal dhe zhvillimin rajonal, në funksion të politikës së kohezionit dhe të fondeve të Bashkimit Europian;

d) sigurimin e përputhshmërisë së propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore;

dh) zhvillimin e një procesi konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;

e) paraqitjen përpara Kuvendit të projektligjeve dhe të relacioneve shoqëruese, brenda afatit të veprimtarisë së Komisionit.

3. Në realizimin e objektit të tij, Komisioni i Posaçëm të shqyrtojë dhe të propozojë ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, në ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, si dhe në çdo akt tjetër ligjor që lidhet me objektin e veprimtarisë së tij.

4. Komisioni i Posaçëm të ndjekë zbatimin e ligjit nr. 100/2026 dhe të masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, dhe të bashkërendojë punën me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore për çështjet e përfaqësimit.

5. Komisioni i Posaçëm të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare, dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij.

6. Pranë Komisionit të Posaçëm të ngrihet grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, numri, përbërja, organizimi dhe detyrat e të cilit të përcaktohen me vendim të Komisionit, si dhe të funksionojë Sekretariati Teknik, i përbërë nga administrata e Kuvendit dhe ekspertë të kontraktuar.

7. Komisioni i Posaçëm të zhvillojë konsultime me ministrat përgjegjës për fushat e fazës së dytë, me institucionet dhe agjencitë në varësi të Këshillit të Ministrave, me institucionet në varësi të Kuvendit dhe me institucionet e pavarura, si dhe me kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore; të organizojë seanca dëgjimore, tryeza pune dhe diskutime publike; dhe të ftojë Delegacionin e Bashkimit Europian, Këshillin e Europës dhe Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, Prezencën e OSBE-së dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për asistencë dhe ekspertizë teknike.

Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm, si dhe të vënë në dispozicion të tij, pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacion që kërkohet nga Komisioni për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij.

Kuvendi duhet të marrë masa për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen financiare, logjistike e me burime njerëzore të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, të grupit të ekspertëve dhe të Sekretariatit Teknik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb