Një familje siriane që prej vitesh përpiqet të ndërtojë jetën në Skoci është përballur me një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike: të marrë 3 mijë paund ndihmë financiare dhe të nisë një jetë të re në Shqipëri, një vend me të cilin nuk ka asnjë lidhje. Propozimi është bërë përmes një letre zyrtare të Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office), duke ngritur pikëpyetje serioze mbi saktësinë e vendimeve që përcaktojnë fatin e mijëra azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumenti, i siguruar nga gazeta skoceze The Sunday National, i është dërguar 39-vjeçarit sirian Fadi Alsakka, i cili jeton në Glasgow së bashku me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe.
“Kjo ndihmë e konsiderueshme mund t’ju ndihmojë të ndërtoni të ardhmen tuaj afatgjatë, ose atë të familjes suaj, në Shqipëri”, thuhet në letrën e Home Office.
Për familjen siriane, përmendja e Shqipërisë ishte një surprizë e pakuptueshme, pasi asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare, shoqërore apo ndonjë histori jetese në vendin tonë.
“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur kontrollon jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Një gabim i tillë mund të jetë fatal”, deklaroi Alsakka për gazetën skoceze.
Rasti ka nxjerrë në pah shqetësimet për mënyrën se si Home Office trajton dosjet e azilkërkuesve, veçanërisht në një periudhë kur autoritetet britanike po përpiqen të përshpejtojnë shqyrtimin e mijëra aplikimeve të mbetura pezull.
Familja dyshon se gabimi mund të ketë lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset administrative. Këto dyshime janë shtuar pas një raportimi të gazetës The Independent, sipas të cilit sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga Home Office nuk kishin arritur të përmbushnin standardet e kërkuara të saktësisë në 22% të rasteve të shqyrtuara.
“Mbështetja tek inteligjenca artificiale në raste të tilla është e papranueshme”, u shpreh Alsakka.
Megjithatë, The Sunday National sqaron se, sipas informacioneve të siguruara prej saj, inteligjenca artificiale nuk është përdorur për hartimin e letrës ku Shqipëria përmendet si destinacion për familjen siriane.
Vetë Alsakka po ndjek studimet për masterin e tij të dytë në Universitetin e St Andrews, ndërsa bashkëshortja studion për master në inteligjencë artificiale në Universitetin e Glasgow-t.
Gabimi me Shqipërinë nuk është incidenti i parë administrativ me të cilin familja është përballur. Sipas Alsakkës, autoritetet britanike janë detyruar t’i dërgojnë gjashtë herë kartat e identifikimit, pasi në pesë përpjekjet e para kishin vendosur gabimisht fotografinë e djalit të familjes.
Por shqetësimi më i madh lidhet me refuzimin e kërkesës për azil, vendim që familja e ka ankimuar në gjykatë.
Alsakka pretendon se Home Office ka bërë një tjetër gabim, këtë herë shumë më serioz, duke ngatërruar vitin e një incidenti që ai thotë se ka përjetuar në Siri dhe duke e përdorur këtë pasaktësi si argument për refuzimin e mbrojtjes ndërkombëtare.
“Kam pasur një incident në Siri në vitin 2025. Në vendimin e refuzimit ata shkruajnë se incidenti ka ndodhur në vitin 2023 dhe se familja ime kishte vizituar Sirinë atë vit për të takuar një të afërm në prag të vdekjes, pa u përballur me ndonjë rrezik. Por incidenti ndodhi në vitin 2025. Kjo nuk ka logjikë”, shpjegoi ai.
Përveç ofertës për t’u zhvendosur në Shqipëri kundrejt ndihmës financiare prej 3 mijë paundësh, dokumenti britanik sugjeron gjithashtu se familja mund të fillojë një jetë të re në një qytet sirian, si Alepo.
Por 39-vjeçari thotë se nuk ka më lidhje të qëndrueshme me vendlindjen dhe se kthimi në Siri do të nënkuptonte zhvendosjen e familjes në një mjedis të panjohur dhe potencialisht të rrezikshëm.
“Kam jetuar më shumë se gjysmën e jetës jashtë Sirisë. Në Siri kam kaluar vetëm dhjetë vjet. Tani jam 39 vjeç. Nuk kam lidhje, nuk kam të afërm atje. Fëmijët e mi kanë lindur jashtë Sirisë. Për mua, Siria është njësoj si Shqipëria”, deklaroi ai.
Alsakka vë në dukje edhe atë që e konsideron një kundërthënie të madhe në politikat britanike: ndërsa qeveria paralajmëron qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Siri për arsye sigurie, azilkërkuesve sirianë u sugjerohet kthimi në këtë vend.
“Ata paralajmërojnë të gjithë shtetasit britanikë se nuk duhet të udhëtojnë në Siri, por ndërkohë mund të kthejnë atje refugjatët dhe azilkërkuesit”, tha ai.
Qeveria britanike këshillon kundër çdo udhëtimi drejt Sirisë, duke përmendur situatën e paparashikueshme të sigurisë dhe rrezikun nga sulmet terroriste.
Bashkëshortja e tij, Lojain, ka ende prindërit në Damask, por shpjegon se familja nuk ka mundësi të jetojë me ta. Ndërkohë, të afërm të tjerë kanë gjetur mbrojtje dhe kanë ndërtuar jetën në vende të ndryshme evropiane.
Vëllai i Lojain ka marrë shtetësinë gjermane, motra e saj ka përfituar azil në Turqi, ndërsa vëllai i Fadit është bërë shtetas belg pasi kërkoi mbrojtje ndërkombëtare në Belgjikë.
Krahasimi me jetën e të afërmve të tyre e bën edhe më të vështirë situatën për çiftin, i cili prej kohësh jeton në pasiguri për të ardhmen.
“Familjarët tanë na thonë se jetojmë në një burg të madh dhe të bukur. Por që në fillim u detyruam të ndiqnim këtë rrugë. Nuk ishte një zgjedhje. Nuk kishim mundësi tjetër”, rrëfeu Alsakka.
Pasiguria e vazhdueshme ka ndikuar edhe në gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij, e cila aktualisht punon si përkthyese komunitare për organizatën Glasgow Life.
Lojain tregoi se ka përjetuar dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit dhe se mjekët e kanë këshilluar vazhdimisht të pushojë dhe të kujdeset për shëndetin.
Ndërkohë, fëmijët e çiftit, 11 dhe 10 vjeç, janë rritur jashtë Sirisë dhe e kanë ndërtuar jetën e tyre në një realitet krejt tjetër nga ai i vendit të origjinës së prindërve.
Familja pret që ankimi ndaj refuzimit të azilit të shqyrtohet nga gjykata në fillim të vitit 2027. Nëse vendimi i Home Office mbetet në fuqi, prindërit thonë se nuk kanë një alternativë të qartë për të ardhmen.
“Nuk e di çfarë do të bëj, por nuk do të kthehem në Siri. Nuk mund të kthehem atje. Nuk do të rrezikoj fëmijët dhe familjen time”, theksoi Alsakka.
Pavarësisht përvojës së vështirë me administratën britanike, ai shpreson se gjykata do ta shqyrtojë çështjen në mënyrë të pavarur, duke u mbështetur në ligj dhe në parimet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Besoj se gjykata vendos në bazë të të drejtave të njeriut. Ajo nuk përdor politikën dhe debatet për të refuzuar kërkesat për azil”, përfundoi ai.
Rasti i familjes Alsakka ngre një çështje që shkon përtej gabimit të pazakontë me Shqipërinë: sa të besueshme janë procedurat administrative të një institucioni që vendos nëse një familje mund të qëndrojë në vendin ku ka ndërtuar jetën, apo duhet të largohet drejt një të ardhmeje të pasigurt?
