Punonjësit e administratës së Bashkisë Memaliaj pritën me duartrokitje kryebashkiakun Albert Malaj, pas vendimit që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie në kuadër të reformës së re territoriale dhe bashkimin e saj me Tepelenën.

Vendimi është kundërshtuar prej javësh nga banorët e Memaliajt, të cilët në dëgjesat publike të zhvilluara në njësitë administrative kanë shprehur shqetësimin për largimin e shërbimeve, shpopullimin dhe pasojat ekonomike për zonën. Edhe Këshilli Bashkiak i Memaliajt është shprehur kundër draftprojektit, me 9 vota kundër dhe një abstenim.

Në takimin me administratën, kryebashkiaku Albert Malaj u shpreh se puna do të vijojë normalisht deri në formalizimin e ndryshimeve të parashikuara nga reforma, ndërsa shërbimet për qytetarët do të vazhdojnë pa ndërprerje.

Malaj ka qenë një nga zërat kundërshtues të shkrirjes së Bashkisë Memaliaj, duke argumentuar se bashkia ka peshë të konsiderueshme në qark si për numrin e banorëve, ashtu edhe për shtrirjen territoriale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: