Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaron se kryeministri Edi Rama nuk e ka pasur asnjëherë të garantuar votën e PAA-së për Reformën Territoriale. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Duka u shpreh se do të kishte votuar kundër reformës, duke theksuar se në politikë ka mbajtur gjithmonë të njëjtin qëndrim: kur thotë “po”, është po, dhe kur thotë “jo”, është jo.

Duka hodhi poshtë pretendimet se Rama kishte bërë llogaritë për të siguruar dy vota rezervë nga Partia Agrare Ambientaliste. Ai solli në vëmendje edhe një episod nga koha kur ishte ministër, duke treguar se kishte votuar kundër ligjeve, pavarësisht kërkesave që i ishin bërë.

Duke komentuar qëndrimet e disa deputetëve socialistë për Reformën Territoriale, Duka u shpreh se retorika e tyre kundërshtuese nuk duhej të ishte kaq e fortë, pasi, sipas tij, dihej që në fund do të votonin pro. Ai komentoi gjithashtu rastin e Erion Braçes, i cili ka kundërshtuar reformën, duke nënvizuar se deputeti ndodhej përpara një dileme për qëndrimin e tij brenda grupit parlamentar të PS-së.

“Do të kisha votuar kundër, absolutisht. S’dua të fyej askënd. Por jeta ime politike ka qenë kjo: kur them po, është ‘po’ dhe kur them jo, është ‘jo’. Nuk është aspak e vërtetë, sepse e kam dëgjuar edhe në një studio televizive, që Rama e kishte planin gati me dy vota rezervë nga Partia Agrare Ambientaliste. Por jo! Unë kam votuar kundër edhe partisë sime. Jo-ja është jo dhe po-ja është po. Unë nuk kam frikë të them ‘po’ dhe ‘jo’.

Nano më tha: ‘Mos voto kundër’. I thashë ‘jo’ kur isha ministër dhe votova kundër ligjeve. Këta socialistët, Spiropali dhe dy të tjerët, nuk duhet të kishin retorikë kundërshtuese, pasi dihej që do të votonin pro. Më mirë që votuan pro, se do t’i kishte përjashtuar nga grupi parlamentar. Është më mirë që ka edhe zëra kundër në PS. Ka diskutim nëse bën mirë apo jo. Është e vështirë për rastin e Braçes, sepse ka rreth 30 vite në PS. Ai foli kundër reformës dhe tha gjëra të mira, por ishte në hall nëse donte të ikte nga grupi apo jo. Për këta tre persona, i njoh, i kam miq. Ka një kosto negative në publik, që do të dojë kohë të rikuperohet. Mbahen mend disa veprime. Mund të kesh disa aleanca, por për interesa, publiku shqiptar nuk i harron.”, tha Duka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb