Kryeministri Edi Rama sulmon sërish News24. Në kulmin e protestave, kreu i qeverisë e cilësoi lëvizjen një kurth, vuri në dyshim karakterin studentor të saj dhe drejtoi akuza ndaj pronarit të televizionit për evazion fiskal me miliona euro.
Në vend që reagimi të përqendrohet te kërkesat e studentëve, kryeministri i zhvendos vëmendjen drejt një tjetër përplasjeje me median.
Këto deklarata nuk janë një episod i izoluar, por vijim i një konfrontimi që News24 e ka denoncuar prej 6 vitesh si presion të vazhdueshëm politik dhe institucional.
Televizioni ka denoncuar vazhdimisht presionin e pandërprerë nga pushteti, duke iu referuar tritolit, gjobave dhe kontrolleve të pandërprera tatimore ndaj bizneseve të lidhura me të.
Kulmi i këtij presioni ishte ndërhyrja arbitrare në ambientet dhe studiot televizive të News24, pa vendim gjykate, pavarësisht se kontrata e qirasë kishte afat deri në vitin 2033. Kjo ndërhyrje solli ndërprerjen e transmetimit dhe cenimin e investimeve private prej miliona eurosh, të cilat, u vunë në dispozicion të kompanisë shtetërore KAYO, veprimtaria e së cilës është përmendur në raportimet mbi hetimet e SPAK.
Zoti Rama! Ti ke bërë gjithçka për ta mbyllur News24. Ti tentove ta shuash në mes të ditës një zë të lirë.
Prej 6 vitesh nuk resht së sulmuari këtë media dhe bizneset e lidhura me të nuk na ke dobësuar, por na ke bërë më të vendosur, dhe ne do të vijojmë të qëndrojmë në krah të qytetarëve, në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe së drejtës për informim.
News24 nuk heshti dje! Nuk hesht sot! Dhe nuk do të heshtë nesër!
Punonjësit e News24 janë të vendosur të bëjnë punën me profesionalizëm, pavarësisht vështirësive përballë të cilave shteti e ka vënë News24, me bastisje, gjoba, bllokime etj.
Dhe në fund disa pyetje zoti Rama: Pse gjithë ky presion vazhdueshëm ndaj News24?
Pse të shqetëson media e lirë, transparenca dhe pavarësia e gazetarëve?
Sot populli po pret dorëheqjen tënde, kur do t’i dëgjosh Shqiptaret?
Përgjigjet ia ke detyrim publikut shqiptar!
