Deutsche Welle

Demonstratat e udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit të dyshuar, papunësisë dhe problemeve në arsim kanë tronditur Tiranën dhe janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit. Deutsche Welle thekson se protestat zhvillohen në një moment të rëndësishëm për ambicien e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Protestat studentore në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Deutsche Welle (DW) raporton se, pavarësisht thirrjeve për largimin e kryeministrit Edi Rama, ky i fundit refuzon të japë dorëheqjen.

Sipas DW-së, kryeministri i ka cilësuar demonstratat jo si një kërcënim për qeverinë e tij, por si një rrezik për ambicien e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Protestat, të udhëhequra nga studentët dhe të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e dyshuar qeveritar, papunësinë dhe cilësinë e dobët të arsimit, kanë përfshirë qendrën e Tiranës dhe janë përhapur edhe në qytete të tjera gjatë javës së fundit.

Të dielën, qindra persona u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ku brohoritën thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”. Gjatë demonstratës, protestuesit hodhën gurë në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome, raporton media ndërkombëtare.

**Brukseli bën thirrje për qetësi**

Sipas Deutsche Welle-s, protestat zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, së bashku me vende të tjera të Ballkanit që aspirojnë integrimin europian.

Përballë përshkallëzimit të situatës, Bashkimi Europian ka bërë thirrje për qetësi. Komisioni Europian dënoi të dielën përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian mirëpriti angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar mbrojtjen e së drejtës së qytetarëve për të protestuar.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar vëmendjen ndërkombëtare ndaj situatës politike në Shqipëri, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reagojë qeveria ndaj kërkesave të protestuesve dhe nëse palët do të gjejnë një rrugë dialogu për të ulur tensionet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb