Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, pas disa ditësh protestash dhe përplasjesh në Tiranë. Gjatë një takimi me Policinë e Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama i cilësoi të rinjtë që marrin pjesë në protesta si persona që kanë nevojë për trajtim psikologjik dhe pretendoi se ata po përdoren nga shërbime të huaja për të destabilizuar Shqipërinë.
Duke komentuar veprimet e protestuesve dhe përdorimin e molotovëve, kryeministri u shpreh se një pjesë e tyre kërkon kaos dhe shkatërrim, ndërsa i përshkroi si të rinj që vijnë nga periferitë për të sulmuar qendrën e kryeqytetit.
“Adhurojnë molotovin dhe rrëmujën e kaosin e u turren dyqaneve. Kjo masë ka nevojë për psikolog e për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash e djem që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën e kanë keqkuptimet e mëdha”, deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi gjithashtu se protestuesit po përdoren nga shërbime të huaja dhe aktorë që, sipas tij, kanë qëllime dashakeqëse ndaj Shqipërisë. Në këtë kontekst, ai përmendi Rusinë, duke thënë se ajo nuk e dëshiron Shqipërinë të qëndrueshme, me ekonomi të zhvilluar dhe në Bashkimin Europian.
Rama mbrojti edhe veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestave, duke deklaruar se efektivët kanë treguar vetëpërmbajtje maksimale.
Ai u ndal edhe te protestat pranë Ministrisë së Arsimit, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e studentëve në to. Sipas kryeministrit, pamjet e protestuesve që hedhin gurë dhe duartrokasin kur digjen efektivët e policisë nuk përputhen me atë që ai pret nga studentët.
“Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin dhe rrinë pas atyre që hedhin gurë dhe i duartrokasin kur digjet polici”, u shpreh Rama.
